Barcelona merr vendim për Aubameyangun, pas interesimit nga Chelsea

  • S.A /
  • 05 August 2022 - 09:49
Barcelona merr vendim për Aubameyangun, pas interesimit nga Chelsea

Barcelona raportohet se nuk e ka ndërmend të lejojë largimin e Pierre-Emerick Aubameyang.

E ardhmja e sulmuesit nga Gaboni në “Camp Nou” u vu në dyshim ditëve të fundit, pasi u raportua se për të interesim shprehi Chelsea.

Megjithatë, sipas “Sport”, Barcelona e sheh Aubameyangin si “të patransferueshëm” dhe do të refuzojë të hyjë në diskutime me klubin anglez.

Tutje, sipas mediumit spanjoll, Xavi e sheh sulmuesin me përvojë si një lojtar të rëndësishëm, ndërsa figura të larta në klub janë gjithashtu të prirur ta mbajnë atë.

33-vjeçari mund ta ketë të vështirë të sigurojë shumë ndeshje si titullar te Barça, pas ardhjes së Robert Lewandowskit – megjithatë besohet se largimi i tij nuk do të ndodhë këtë verë. Aubameyang mund të përdoret edhe si sulmues i krahut të majtë.

Ish-sulmuesi i Borussia Dortmundit gjithashtu nuk ka dëshirë të kthehet në Premierligë, pasi thuhet se ai është vendosur në Spanjë bashkë me familjen e tij.

Aubameyang është pjesë e Barcelonës që nga fillimi i këtij viti, kur kaloi si lojtar i lirë nga Arsenali.

Ai la gjurmë të mëdha në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, duke shënuar 13 gola dhe një asistim në 23 paraqitje, duke përfshirë 11 gola në 17 paraqitje në La Liga.

Pierre-Emerick Aubamyeang me Barcelonën ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2025. 

(Kosova Sot Online )