Pas një ngatërresë të pakuptimtë: Vritet kampioni i tetëfishtë i botës në Jiu-Jitsu

  • S.A /
  • 08 August 2022 - 09:36
Pas një ngatërresë të pakuptimtë: Vritet kampioni i tetëfishtë i botës në Jiu-Jitsu

Është vrarë me armë zjarri Leandro Lo, një nga figurat më të rëndësishme të Jiu-jitsu, tetë herë kampion bote në sportin e arteve marciale. Braziliani u qëllua në kokë nga një person me të cilin debatoi në një festë në Sao Paulo, qyteti më i madh në Brazil, njoftuan burime federale. “Idhulli i sportit, Leandro Lo na lë fizikisht. Ne ofrojmë homazhe dhe nderime për atë që ndihmoi dhe frymëzoi shumë persona në mbarë botën”, raportoi Konfederata Braziliane e Sporteve Jiu-Jitsu (CBJJE).

Vrasja ka ndodhur në orët e para të kësaj të së dielës, në zonën jugore të Sao Paulos, ku sportisti kishte shkuar me miqtë për të shijuar një prezantimin e një grupi muzikor të njohur në një festë.

Sipas dëshmitarëve, luftëtari debatoi për arsye ende të paqarta me një burrë, në dukje i dehur, dhe e imobilizoi atë me një lëvizje tipike krahu të arteve marciale në përpjekje për ta qetësuar. Pasi e la të lirë, personi në fjalë nxori një armë dhe qëlloi kampionin e botës në kokë. Pavarësisht se u dërgua menjëherë në spital, nuk mundi të mbijetonte.

Agresori i tij, i cili u arratis pas krimit, është identifikuar dhe është shpallur në kërkim.

Leandro Pereira do Nascimento Lo ishte tetë herë kampion bote në jiu-jitsu në pesë kategori të ndryshme dhe fitoi pesë tituj të Kupës së Botës në këtë sport, si dhe tetë tituj panamerikanë.

(Kosova Sot Online )