Një shqiptar dhe një serb “luftojnë” për një vend titullari

  • S.A /
  • 11 August 2022 - 11:41
Një shqiptar dhe një serb “luftojnë” për një vend titullari

Tek Torino po zhvillohet një konkurrencë e fortë për pozitën e portierit. E për këtë pozitë po “luftojnë” një portier shqiptar dhe një serb. Etrit Berisha e kishte fituar betejën ndaj Vanja Milinković-Savić sezonin e kaluar, duke mbrojtur në pjesën më të madhe të ndeshjeve të sezonit në Itali. Por, tash gjithçka nis nga zeroja dhe ata do ta sfidojnë njëri-tjetrin prapë për një vend në 11-shen e parë të trajnerit Ivan Juric.

Ekipi “Granata” do ta nisë sezonin e ri në Serie A të shtunën me ndeshjen që do ta zhvillojë ndaj Monzas. Për momentin, nuk dihet se cili prej portierëve do të jetë titullar.

Sipas mediave italiane, trajneri Juric e ka rifituar besimin ndaj portierit Milinkovic-Savic, që mund të luajë nga minuta e parë në fundjavë.

Megjithatë, deri të shtunën mund të ndryshojnë gjërat pasi edhe përfaqësuesi shqiptar e ka besimin e plotë të trajnerit pas paraqitjeve të sezonit të kaluar.

Por, planet për të dy portierët mund të prishen këtë muaj, nëse Torino e transferon portierin e Napolit, Alex Meret.

Ky i fundit do të ishte titullar i padiskutueshëm tek Torino dhe Berisha dhe Milinkovic-Savic do të përfundonin sigurisht në bankinë, duke “luftuar” se cili do të jetë portieri i dytë.

Sidoqoftë, Berisha synon të ketë sa më shumë paraqitje në edicionin e ri.

Ai e ka ruajtur gjithmonë qetësinë, edhe kur e ka kaluar një kohë në bankinë. 

(Kosova Sot Online )