Barcelona mbledh edhe 100 milionë euro, në tentimin e fundit për të regjistruar lojtarët e rinj

  • A.P /
  • 12 August 2022 - 16:39
Barcelona mbledh edhe 100 milionë euro, në tentimin e fundit për të regjistruar lojtarët e rinj

Barcelona ka shitur 24,5% nga aksionet e Barca Studios te kompania Orpheus media, duke përfituar 100 milionë euro në këtë proces, të cilat do të përdoren për regjistrimin e lojtarëve të rinj që kanë transferuar në këtë afat kalimtar veror.

Klubi spanjoll dëshpërimisht po kërkon mundësi të mbledh fonde për regjistrimin e lojtarëve të rinj, sic janë: Raphinha, Robert Lewandowski, Jules Kounde, Andreas Christensen dhe Franck Kessie, dhe krejt kjo duhet të ndodhë para se të fillojë sezoni i ri i Laligas.

Komunikata zyrtare

“FC Barcelona komunikon se ka shitur 24,5% të Barca Studios te kompania Orpheus Media, që menaxhohet nga Z.Jaume Roures dhe është kompani për produkte audiovizuale me histori të gjatë në këtë treg. Shitja është bërë për 100 milionë euro. Kjo marrëveshje plotëson atë të 29 korrikut me Socios.com dhe do të ndihmojë në strategjinë e marketingut dixhital, NFT dhe strategjinë e Web.3 të klubit.”

“Shitja u krye me autorizimin e Asamblesë së përgjithshme të anëtarëve të Barcelonës në tetor të vitit të kaluar. Me këtë investim, partnerët strategjikë në Barca Studios tregojnë se kanë besim në projektin e së ardhmes në marketingun digjital në botën e sportit”, thuhet tutje në komunikatë.

Si po mbledh para Barcelona për transferimet e reja?

Katalanasit kanë një borxh prej 1,35 miliardë euro të deklaruar për vitin 2021, dhe do duhet gjithsesi të balancohet financat, me presidentin Joan Lapora i cili ka marrë dritën e gjelbër që fillimisht të shes 49,9% të Licencimit dhe Tregtisë së klubit (BLM).

Deri më tani nga shitja e aksioneve dhe përdorimi i levave ekonomike, Laporta ka arritur të mbledhë në total 582 milionë euro. Aty hynë edhe 25% të aksioneve të drejtave televizive që i janë shitur kompanisë Sixth Street për 25 vitet e ardhshme.

(Kosova Sot Online)