Barcelonës i duhen edhe 20 milionë euro për ta regjistruar Kounden

  • G.G /
  • 17 August 2022 - 13:46
Barcelonës i duhen edhe 20 milionë euro për ta regjistruar Kounden

Barcelona po vazhdon të përballet me vështirësi financiare, edhe pse nuk po ndalet assesi së përforcuari.

Gjiganti katalunas madje ka qenë mjaft aktiv në afatin kalimtar të verës.

“Blaugrana” i kanë bërë disa përforcime të mëdha dhe e presin një sezon të suksesshëm në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, ata nuk i kanë kryer ende krejt obligimet e përforcimeve të bëra.

Gazetari sportiv spanjoll Alfredo Martinez raporton se klubi nga “Camp Nou” nuk e ka regjistruar ende Jules Kounden në La Liga.

Dhe, sipas tij, për ta regjistruar qendërmbrojtësin francez, të cilin e bleu nga Sevilla, Barçës i nevojiten edhe 20 milionë euro, të cilat për momentin nuk i ka.

Pra, me gjasë katalunasit nuk do të mundë të llogarisin në përforcimin më të ri as në ndeshjen e dytë sezonale në kampionatin spanjoll, të cilën do ta luajnë në fundjavë.

Barça u detyrua t’i shiste disa prej aseteve të saj në mënyrë që t’i paguante përforcimet e bëra, por edhe për vazhdimin e kontratave të lojtarëve të caktuar dhe një pjesë të rrogave të lojtarëve që i kishte tashmë në dispozicion. 

(Kosova Sot Online)