“Brenda ose jashtë”: Anthony Joshua mund të pensionohet nga boksi nëse humb nga Usyk

  • E.K /
  • 18 August 2022 - 12:57
“Brenda ose jashtë”: Anthony Joshua mund të pensionohet nga boksi nëse humb nga Usyk

Anthony Joshua mund ta ketë rastin e fundit për ta shpëtuar karrierën këtë fundjavë.

Boksieri britanik do të përballet me ukrainasin Olsekandr Usyk, në rimeçin e famshëm, i cili do të zhvillohet në Arabinë Saudite.

Ish-kampioni i botës, në shtator të vitit të kaluar në Londër e kishte humbur përballjen e parë nga boksieri i papërshtatshëm, duke i humbur kështu edhe brezat e artë në versionet WBO, WBA e IBF.

E tash, 32 vjeçari e ka mundësinë e fundit, pasi një humbje tjetër eventuale do të mundë të thoshte edhe fund i karrierës për të.

“Kjo është ajo, më duhet të fitoj gjithsesi. Unë e pëlqej presionin. Ishte një periudhë e vështirë, tash vetëm dua ta kryej punën. Do të mundohem të jem i fokusuar dhe ta kryej punën. Dhashtë Zoti, me fitore”, ka thënë britaniku.

Reputacioni i Joshuas kishte rënë kur në vitin 2019 ishte mposhtur nga Andy Ruiz Jr.

Por, më pas ai i ishte hakmarrë boksierit meksikano-amerikan, të cilin e kishte mposhtur për t’i rikthyer titujt e kampionit botëror.

E vitin e kaluar, Joshua u ndal edhe nga 35 vjeçari ukrainas, i cili është i vendosur për t’i mbrojtur brezat e artë pasi është i motivuar ta bëjë krenar shtetin e tij, i cili po përballet me luftë ndaj agresionit rus.

Ekspertët thonë se humbja e tretë eventuale do ta detyronte Joshuan t’i japë fund karrierës.

Sidoqoftë, ai është treguar gjithmonë luftëtar dhe një person që nuk dorëzohet, prandaj vendimi në fund do t’i takonte vetëm atij. 

(Kosova Sot Online)