Në mes të luftës, tre futbollistë shqiptarë luajtën dje në Ukrainë

  • S.A /
  • 24 August 2022 - 10:19
Në mes të luftës, tre futbollistë shqiptarë luajtën dje në Ukrainë

Sezoni i ri në Ukrainë nisi dje me futbollin që u rikthye pas gjashtë muajsh pauze. Klubet elitare zbritën në fushën e blertë për ta nisur sezonin 2022/23 përkundër faktit se në këtë shtet po vazhdon lufta me agresorin rus. E pjesë e rikthimit të futbollit në Ukrainë ishin edhe tre futbollistë shqiptarë. Ardit Toli luajti nga minuta e parë dhe Taulant Seferi u inkuadrua në pjesën e dytë për Vorsklan në humbjen 1:3 nga Zorya Luhansk. Kurse, mesfushori shqiptar Realdo Fili u paraqit tek Chornomorets Odessa në humbjen nga Veres-Rivne, 0:1.

16 skuadra e nisën ligën në Ukrainë, ndërsa ndeshjet do të luhen në Kiev dhe përreth tij. Sezonin e ri e nisi një ushtar ukrainas, i cili e rrokulli i pari topin, ndërsa u këndua edhe himni kombëtar pasi dje ishte dita e flamurit të Ukrainës. Në secilin stadium është siguruar një hapësirë sigurie ku do të vendosen ekipet në rast të ndonjë alarmi për bombë, derisa ndeshjet do të luhen pa praninë e publikut. Liga ukrainase nuk luhet që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte mbyllur pjesa e parë e sezonit. Më pas, në fund të shkurtit, derisa po planifikohej të fillonte pjesa e dytë e kampionatit, shpërtheu lufta dhe liga u ndërpre aty. Në pjesët tjera të Ukrainës po vazhdojnë luftimet, ndërsa futbolli shihet si mundësi për t’ua shtuar shpresat ukrainasve dhe për t’i treguar botës se ukrainasit nuk dorëzohen asnjëherë.

(Kosova Sot Online )