Pritësi i topave që ishte goditur nga Hazard, sot është më i pasur se Harry Kane

  • S.A /
  • 24 August 2022 - 15:35
Pritësi i topave që ishte goditur nga Hazard, sot është më i pasur se Harry Kane

Pritësi i dikurshëm i topave i Swansea Cityt, Charlie Morgan sot është më i pasur se përfaqësuesi anglez, Harry Kane falë votkës së tij të kërkuar, e cila është shitur me miliona copë në dy vjetët e fundit.

Charlie ishte 17 vjeç kur përplasja e tij me Eden Hazard ishte bërë lajm kombëtar në Angli, por edhe ndërkombëtar, me njërin prej lojtarëve më të mirë në botë të asaj kohe që ishte përjashtuar nga loja pasi e kishte goditur atë derisa po mundohej t’ia merrte topin për ta rikthyer në fushën e blertë.

Nga ajo kohë, i riu uellsian së bashku me një shok shkolle e udhëhoqën një “start-up”, duke e bërë atë një fuqi globale të marketeve të alkoolit në formën e Au Vodka.

Charlie dhe shoku i shkollës, Jackson Quinn thuhet se kanë pasuri prej 47 milionë eurosh secili, duke u renditur në vendin e 24-t të të rinjve më të pasur të vitit në Angli, në bazë të “The Times Young Rich List”.

Këto shuma në fakt janë më të larta se pasuria e heroit të Tottenhamit, Harry Kane, i cili thuhet se i ka 45 milionë euro.

“The Times” raporton se 29 vjeçari paguhet 12 milionë euro në vit tek klubi anglez, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2024.

Një javë pasi u godit nga Hazard, Charlie tash synon të shkojë sa më lartë, duke i “kapur duart” me yje si Ronaldinho apo Floyd Mayëeather falë krijimit të tij inspirues.

“Ne ishim të rinj, 18,19,20 vjeç në atë kohë dhe secili prej miqve për ditëlindjen e sillte të njëjtën shishe të vodkës së vjetër. Ne ndienim se kjo ishte bërë e mërzitshme. E ndienim se duhej ta krijonim një më të mirë”, kishte deklaruar Charlie në një intervistë me “WalesOnline” në shkurt të vitit 2021, përcjell “Gazeta Express”.

Brendi e pati një shitje impresionuese prej 1.7 milionë shishesh gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, me vetëm Smirnoffin që e mposhti këtë numër gjatë asaj periudhe.

Ata i kanë 268 mijë ndjekës në Instagram, ndërsa po planifikojnë të zgjerohen me produkte të reja të alkoolit. 

(Kosova Sot Online )