Man Utd synon ta transferojë De Jongun në janar

  • S.A /
  • 01 September 2022 - 10:59
Man Utd synon ta transferojë De Jongun në janar

Manchester United është dorëzuar për Frenkie de Jongun, i cili sipas të gjitha gjasave do të mbetet në Barcelonë. “Djajtë e Kuq” e kërkuan vazhdimisht futbollistin holandez, por ai rezistoi me dëshirën e madhe për të qëndruar në “Camp Nou”. Kohëve të fundit “në lojë” hyri edhe Chelsea, por as “Blues” s’arritën t’ia ndërronin mendjen ish-futbollistit të Ajaxit. Sidfoqoftë, trajneri Erik ten Hag, i cili kishte punuar me futbollistin në Holandë, nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Trajneri holandez do t’ju kërkojë drejtuesve të klubit anglez që të tentojnë prapë për ta transferuar përfaqësuesin holandez në “Old Trafford”.

“Është e qartë, ne kemi nevojë për lojtarë kualitativë. Kemi nevojë për më shumë lojtarë për t’i mbuluar të gjitha ndeshjet dhe për ta ruajtur vazhdimësinë”, ka thënë Ten Hag, duke paralajmëruar se i duhen përforcime edhe në afatin kalimtar të janarit. De Jong, nga ana e tij, do të mundohet ta bind trajnerin Xavi Hernandez se e meriton një vend titullari tek “Blaugrana”. Nëse kjo nuk ndodh deri në hapjen e afatit të ri kalimtar, holandezi mund të vendosë të largohet nga gjiganti katalunas. 

(Kosova Sot Online )