Prishtina falënderon Plisat, dënon huliganizmin në ndeshjen e saj me Ballkanin

  • E.K /
  • 05 September 2022 - 18:25
Prishtina falënderon Plisat, dënon huliganizmin në ndeshjen e saj me Ballkanin

FC Prishtina ka dalë me një falënderim për tifozët e saj për ndeshjen e mbrëmshme kundër Ballkanit, me ç’rast ka dënuar edhe sulmet me thika që ju bënë tifozëve të Ballkanit (Xhebrailat) tifozët e Prishtinës Plisat.

Megjithatë, në komunikatën e bërë nga FC Prishtina, ata kanë falënderuar tifozët për mbështetjen e tyre që i bënë gjatë paraqitjes së mbrëmshme.

“Organizimi dhe entuziazmi për ndeshjen ndaj Ballkanit ishte i madh nga tifozët tonë “Plisat” dhe qytetarët e Prishtinës, të cilët edhe një herë e dëshmuan dashurinë e tyre për klubin më të madh në vend duke u tubuar masovikisht në stadium, ku biletat ishin shitur shumë orë para ndeshjes”, thuhet ndër të tjera në këtë falënderim.

“Përkundër shiut të rrëmbyeshëm që nuk pushoi para, gjatë dhe pas ndeshjes, tifozët nuk u ndalën së përkrahuri ekipin e zemrës nga tribunat gjatë gjithë ndeshjes për çka klubi i falënderon duke shpresuar e besuar se rezultatet pozitive nuk do të mungojnë gjatë kampionatit.

“Gjithashtu, FC Prishtina i falënderon me përulje edhe legjendat e klubit, futbollistët e gjeneratës së artë dhe ata që kanë kontribuuar në vitet e pasluftës e që gjetën kohë të vijnë në stadium për t’i dhënë zemër skuadrës nga afër”, thuhet në komunikatë.

“FC Prishtina i dënon fuqishëm ata që shkaktuan përleshje mes tifozervie para fillimit të ndeshjes duke u distancuar nga personat e pandërgjegjshëm e të cilët vetëm futbollit dhe klubeve tona nuk ia duan të mirën. Mirupafshim në sfidat e radhës, “’lufta jonë, jo kurrë nuk ndalet…”.

(Kosova Sot Online)