Edhe Dzeko shprehet kundër miqësores me Rusinë, kapiteni konfirmon se nuk do të përfshihet për këtë ndeshje

  • S.A /
  • 10 September 2022 - 11:23
Edhe Dzeko shprehet kundër miqësores me Rusinë, kapiteni konfirmon se nuk do të përfshihet për këtë ndeshje

Federata e Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës (NFSBiH) njoftoi të premten se ka aranzhuar një ndeshje miqësore me Rusinë, me këtë të fundit që janë të përjashtuar nga çdo garë zyrtare e FIFA-s dhe UEFA-s shkaku i agresionit të shtetit rus mbi Ukrainën. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar Federatës boshnjake që të pranoi një ofertë për t’u zhvilluar një ndeshje miqësore mes ekipeve përfaqësuese të këtyre dy shteteve. NFSBiH bëri të ditur se ka pranuar ofertën që ndeshja miqësore të zhvillohet në Shën Petersburg, më 19 nëntor të këtij viti.

Pas kësaj reagimet ishin të shumta. Së fundi edhe kapiteni i ekipit përfaqësues të Bosnjë-Hercegovinës, Edin Dzeko, ka komentuar vendimin e Federatës së vendit të tij.

Sulmuesi i Interit konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në këtë ndeshje.

“Unë jam kundër zhvillimit të kësaj ndeshje. Unë jam gjithmonë vetëm për paqe. Federata e di mendimin tim. Fatkeqësisht nuk jam unë ai që i merr vendimet me kë do të luajë BiH, por kam qëndrimin tim që është i qartë dhe që nuk përfshin luajtjen e kësaj ndeshjeje, ndërkohë që po vuajnë njerëz të pafajshëm. Unë solidarizohem me popullin e Ukrainës në këto momente të vështira për ta”, tha 36-vjeçari, raporton “klix.ba”.

Kujtojmë se një reagim është bërë edhe nga ylli tjetër nga Bosnja, Miralem Pjanic, i cili është shprehur gjithashtu kundër vendimit të Federatës, teksa as ai nuk do të përfshihet për këtë ndeshje.

Mes reagimeve tjera, tifozët boshnjakë po bëjnë thirrje për bojkot të ndeshjes. Ata gjithashtu po kërkojnë zgjedhje të reja në Federatën e Futbollit.

(Kosova Sot Online )