Klubet e Premierligës do të diskutojnë sot rreth shtyrjes së ndeshjeve të kësaj jave

  • S.A /
  • 12 September 2022 - 10:00
Klubet e Premierligës do të diskutojnë sot rreth shtyrjes së ndeshjeve të kësaj jave

Klubet e Premieligës raportohet se do të zhvillojnë bisedime këtë të hënë lidhur me shtyrjen ose jo edhe të ndeshjeve së fundjavës që po vjen. Ndeshjet e javës së shtatë në elitën e futbollit anglez, që ishin të parapara të zhvillohen në fundjavën që shkoi, u shtyn shkaku i vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II .

Pas kësaj, u raportua se ekziston mundësia që të mos zhvillohen as ndeshjet e javës së tetë, të cilat janë në program për t’u zhvilluar në fund të kësaj jave.

Policia dhe forcat të tjera nga i gjithë vendi pritet të udhëtojnë drejt kryeqytetit për të mbikëqyrur ceremoninë e funeralit të Mbretëreshës, ku niveli i sigurisë kërkohet që të jetë shumë i lartë.

Si rezultat i kësaj, nga mediat britanike u raportua se edhe ndeshjet e javës së tetë mund të shtyhen, veçanërisht ato ndeshje që do të zhvillohen në kryeqytet, pasi mund të ketë mungesë të forcave të sigurisë.

Sipas “Daily Mail”, bisedimet e reja mes policisë dhe klubeve të futbollit nga Premierliga pritet të ndodhin këtë të hënë, teksa pritet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar.

Për të luftuar mungesën e forcave policore për ndeshjet në kryeqytet, është hedhur ideja e zhvendosjes së ndeshjeve larg Londrës, por ky skenar mund të jetë i vështirë për t’u realizuar nga ana logjistike.

Chelsea – Liverpool, Brentford – Arsenal dhe Tottenham Hotspur – Leicester City janë ndeshjet e parapara për t’u zhvilluar në Londër. 

(Kosova Sot Online )