Besforti ndjek rrugën e vëllait, Arbër Zenelit, i bashkohet Kosovës: “Ishte ëndërr e imja”

  • S.A /
  • 15 September 2022 - 16:10
Besforti ndjek rrugën e vëllait, Arbër Zenelit, i bashkohet Kosovës: “Ishte ëndërr e imja”

Trajneri i Kosovës U21, Afrim Tovërlani ka publikuar sot listën prej 25 futbollistëve.Trajneri i mirënjohur kosovar do të grumbullojë së shpejti ekipin e “shpresave” të Kosovës para një kampi që do ta organizojë në Turqi e ku pritet të zhvillojë edhe ndeshjen e parë si përzgjedhës i Kosovës U21, me kundërshtarin që ende nuk është bërë e ditur.

Pjesë e këtij grumbullimi është edhe Besfort Zeneli, vëllai i Arbër Zenelit

Kjo është hera e parë që Zeneli do të paraqitet me fanellën e Kosovës, ndërsa për medien  tregon edhe arsyet që mori këtë vendim.

“Ëndrra ime për të përfaqësuar vendlindjen e prindërve të mi është bërë realitet”, filloi Besforti.

Ai tha se në këtë vendim nuk kanë ndikuar as prindërit e as vëllezërit.

“Respekt maksimal për prindërit e mi si dhe për vllaun e madh, por këtu nuk kanë pasë ndikim as prindërit e as vëllezërit, e kam marrë vendimin vet dhe vet kam vendos për të ardhmen time”, tregoi ai .

Ai tha se deri në këtë moment nuk kishte pasur ftesë nga Suedia, ndërsa zbuloi edhe ëndrrën që ka me Kosovën.

“Sa i përket klubeve synimi im është që të luaj në një ndër ligat më të mira evropiane, ndërsa sa i përket kombëtares së Kosovës të avancojmë në Evropian si dhe në Botëror”, përfundoi ai.

Besfort Zeneli është 19-vjeçar dhe luan për ekipin Elfsborg në Suedi.

(Kosova Sot Online )