Zvicra e merr edhe një lojtar kosovar, e fton për ndeshjet me Spanjën dhe me Çekinë
Zvicra e ka afruar edhe një lojtar kosovar në gjirin e saj. “Helvetikët” në fakt e kanë ftuar për ndeshjet e shtatorit futbollistin Ardon Jashari. 20 vjeçari do ta zë vendin e sulmuesit, Noah Okafor, i cili nuk do t’i bashkohet Zvicrës shkaku i problemeve me dhëmbët. Kështu, selektori Murat Yakin vendosi t’ia japë rastin futbollistit kosovar për dy ndeshjet e këtij muaji, ndaj Spanjës dhe kundër Republikës Çeke, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Futbollisti i Luzernit ka udhëtuar sot drejt Bad Ragaz për t’iu bashkuar “Helvetikëve”.
Ai deri tash e ka zhvilluar një ndeshje me ekipin U-21 të Zvicrës, ndërsa është zëvendës kapiten i Luzernit.
Për ndeshjet e shtatorit, Zvicra i ka ftuar edhe dy lojtarët tjerë kosovarë dhe mjaft të rëndësishëm, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.
Kështu, Kosova po e humb edhe një lojtar premtues, i cili, nëse paraqitet me zviceranët në ndeshjet e shtatorit, s’ka të drejt në të ardhmen ta ndërrojë Kombëtaren.
(Kosova Sot Online )