Skautët e Arsenalit vëzhguan “Modricin e ri” në ndeshjen e Kroacisë

  • G.G /
  • 24 September 2022 - 16:07
Skautët e Arsenalit vëzhguan “Modricin e ri” në ndeshjen e Kroacisë

Arsenali raportohet se po monitoron ecurinë e mesfushorit, Lovro Majer.

Që kur u transferua nga Dinamo Zagrebi te Rennes në vitin 2021, ai ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë 11 asistime në 44 paraqitje për skuadrën e Ligue 1.

Majer po monitorohet nga një numër klubesh në të gjithë Evropën, duke përfshirë Arsenalin, që po ndjek një lojtar që vlerësohet si “Luka Modric i ri”.

Sipas “The Mirror”, “Topçinjtë” dërguan skautët për të parë mesfushorin në ndeshjen e Kroacisë kundër Danimarkës në Ligën e Kombeve, e cila u fitua nga kroatët me rezultatin 2:1.

24-vjeçari hyri si zëvendësues në minutën e 77-të, teksa shënoi golin e fitores për Kroacinë pas dy minutash.

Barcelona dhe Real Madridi janë dy klubet tjera që gjithashtu lidhen me një transferim të ish-mesfushorit të Dinamo Zagrebit.

Në anën tjetër, Rennes thuhet se do ta lejonte largimin e lojtarit për çmimin prej 60 milionë eurosh.

Lovro Majer ka kontratë të vlefshme me Rennes deri më 30 qershor 2026. 

(Kosova Sot Online)