Kosova U21 e përmbylli me dy fitore kampin tetë ditor në Turqi

  • A.P /
  • 26 September 2022 - 21:51
Kosova U21 e përmbylli me dy fitore kampin tetë ditor në Turqi

Kombëtarja e Kosovës U21 e ka përmbyllur kampin tetë ditor stërvitor në Antalia të Turqisë.

Gjatë kësaj periudhe përzgjedhësi Afrim Tovërlani dhe stafi i tij patën mundësi të punojnë me futbollistët e grumbulluar në këtë kamp, duke e parë formën e secilit futbollist.

Krahas stërvitjeve, Kombëtarja U21 ka zhvilluar edhe dy ndeshje testuese me ekipet që kanë qenë në përgatitje në Antalia.

Ndeshjen e parë Dardanët U21 e kanë zhvilluar kundër ekipit të Grenlandës, të cilën e fituan me rezultat 1:0, me golin e Dion Krasniqit, derisa ndeshjen e dytë e zhvilluan kundër skuadrës turke, FK Döşemealtı Antalya, të cilën e fituan me rezultat bindës 4:0.

Në pjesën e parë shënuan Arian Llugiqi dhe Elvis Letaj, derisa në pjesën e dytë dy gola i shënoi Elidon Qenaj.

Tovërlani ka mbetur i kënaqur me punën e bërë nga futbollistët gjatë këtij kampi tetë ditor dhe grumbullimet e tilla i ka vlerësuar si të domosdoshme për ndërtimin e një ekipi sa më cilësor për ndeshjet kualifikuese.

“Punën në këtë kamp e vlerësoj si shumë të rëndësishme. Konsideroj se këto kampe janë të domosdoshme pasi është ndërruar gjenerata dhe gjithçka është duke u bërë nga fillimi. Më gëzon fakti që të gjithë futbollistët kanë qenë shumë të disiplinuar gjatë këtij grumbullimi. Normalisht nuk ka qenë e lehtë, pasi kjo ishte hera e parë që ishim së bashku, por ky grumbullim më ka ndihmuar për ta pasur një pasqyrë më reale të ekipit. Shpresoj që do t’i kemi së paku edhe dy grumbullime të tilla, që do të na mundësojnë ta kemi edhe më të qartë gjendjen dhe potencialin e futbollistëve. Kësaj radhe na kanë munguar dy-tre futbollistë të cilët kanë qenë të angazhuar me ekipet e tyre, dhe besoj se kur të kompletohemi do të bëjmë punë edhe më të mirë”, ka theksuar Tovërlani pas përmbylljes së këtij kampi. 

(Kosova Sot Online)