Ten Hag për Maguire: Ka potencial të lartë, ne të gjithë besojmë në të

  • E.K /
  • 01 October 2022 - 13:12
Ten Hag për Maguire: Ka potencial të lartë, ne të gjithë besojmë në të

Erik ten Hag i ka dalë në mbrojtje mbrojtësit të skuadrës së tij, Harry Maguire.

Mbrojtësi anglez tash e një kohë është duke u përballur me kritika të shumta lidhur me paraqitjet e tij me “Djajtë e Kuq”, por edhe me Kombëtaren e Anglisë.

Ten Hag ka thënë se ai e mbështet Maguiren sepse beson në të.

“Para së gjithash, sigurisht, pasi duhet ta stërvit, duhet ta mbështes, por e mbështes sepse besoj në të”, tha trajneri i skuadrës nga “Old Trafford”.

“Gjatë asaj periudhe kur kam punuar me të në para-sezon, ai ishte i mirë, shumë i mirë. Më pas ai mbeti jashtë [nga formacioni bazë], por kjo gjithashtu ka të bëjë me lojën e mirë të qendërmbrojtësve që po luajnë tani”, shtoi ten Hag.

“Por, unë mund të shoh cilësitë e tij. Edhe kur nuk ishte në formacion, ai stërvitej shumë mirë, por më e rëndësishmja, cilësitë e tij ishin aty. Ju shikoni karrierën e tij, ai ka pothuajse 50 ndeshje për Anglinë. Ai  performoi shumë mirë për Leicesterin dhe tani për Manchester Unitedin, kështu që ju e shihni se ai ka potencial të lartë”, vazhdoi trajneri holandez.

“Lojtarët në dhomat e zhveshjes, stafi stërvitor, kryetrajneri – ne të gjithë besojmë në të. Tani gjithçka varet nga ai. Kështu i thashë. Unë jam i sigurt se ai mund ta bëjë atë. Ai do t’i kthejë gjërat. Jam vërtet i bindur për këtë”, deklaroi trajneri i Man Unitedit. 

(Kosova Sot Online)