Drita mposht Drenicën, Dukagjini e regjistron fitoren e parë, Llapi luan baras me Malishevën

  • E.K /
  • 01 October 2022 - 16:03
Drita mposht Drenicën, Dukagjini e regjistron fitoren e parë, Llapi luan baras me Malishevën

Kanë përfunduar tri ndeshjet e zhvilluara sot në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll, me të cilat u hap edhe java e nëntë.

Pas barazimit pa gola me Prishtinën në mesjavë, Drita u rikthye te fitoret – pasi mposhti Drenicën me rezultatin 2:1.

Gjilanasit kaluan në epërsi që në minutën e katërt, me golin e shënuar nga Blend Baftiu. Por, mysafirët nga Skenderaj barazuan rezultatin tre minuta para fundit të pjesës së parë, falë golit të shënuar nga Archange Koxy, nga penalltia.

Derisa ndeshja dukej se po shkonte drejt barazimit, në skenë doli Ardit Tahiri te vendasit, i cili shënoi gol në minutën e 87-të dhe ia siguroi kështu fitoren “Intelektualëve”.

Drita pas kësaj fitore ka 21 pikë dhe vazhdon kryesimin në tabelë, kurse Drenica mbetet me 11 pikë dhe renditet e pesta.

Dukagjini mori fitoren e parë për këtë sezon, pasi mposhti Ferizajn me rezultatin 4:1, në stadiumin “18 Qershori”.

Skuadra e Ferizajt kaloi e para në epërsi, me golin e shënuar nga Enis Sefa në minutën e shtatë.

Mirëpo, pastaj gjithçka shkoi në të mirë të vendasve, të cilët ia dolën ta përmbysin rezultatin që në pjesën e parë – pas golave të shënuar nga Altin Merlaku (22’) dhe Dior Zabërgja (45+1’).

Klinasit shënuan edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë. Blerind Morina shënoi në minutën e 51-të, teksa fitoren e vulosi Otto John në minutën e 70-të, duke shënuar nga pika e penalltisë.

Dukagjini pas kësaj fitore ka 5 pikë, por mbetet i fundit në tabelë – tani me dy pikë më pak se Ferizaj, që renditet i nënti.

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, mes Llapit dhe Malishevës, fitues nuk pati – me llapjanët që nuk po ia dalin që të këndellen.

Të dy golat e kësaj ndeshje u shënuan brenda 45 minutave të parë.

Llapjanët kaluan fillimisht në epërsi, me golin e shënuar nga Benjamin Emini në minutën e 32-të, teksa mysafirët barazuan në minutën e parë shtesë, përmes Fiton Hajdarit.

Llapi renditet i shtati në tabelë me 9 pikë, një më shumë se Malisheva që është e teta. 

(Kosova Sot Online)