'Do t’ia thyejmë këmbët burrit tënd'; Bastoni iu përgjigjet kërcënimeve të tifozëve të Barcelonës

  • S.A /
  • 08 October 2022 - 11:01
'Do t’ia thyejmë këmbët burrit tënd'; Bastoni iu përgjigjet kërcënimeve të tifozëve të Barcelonës

Alessandro Bastoni, ende i freskët nga suksesi ndaj Barcelonës, ka dashur të festojë me një postim në Instagram, ku krahas shprehjes “fitore e zemrës dhe karakterit”, qëndron një foto e kontrastit të lojës së tij me Gavi, mesfushorin blaugrana. Mediat katalanase, më saktë ‘Sport’, ka dashur ta interpretojë postimin në fjalë si një lloj talljeje me kundërshtarët, që u mundën në “San Siro” në Champions League.

Gazeta katalanase shkruante: “Bastoni e fryu gjoksin pas një ndeshjeje në të cilën protagonisti kryesor nuk ishte ai, por njeriu i veshur ndryshe nga 22 lojtarët. Lojtari duhet të ketë shkuar në dhomat e zhveshjes i mërzitur, sepse gjëja e parë që i ra në mendje ishte postimi në Instagram.

Ky ishte një provokim për Gavi dhe për të gjithë tifozët katalanas, kur ndër të tjera Interi nuk siguroi matematikisht kalimin në raundin e dytë. Siç thonë, ‘kur pështyn lart, bie gjithmonë mbi ty’. Mbetet të luhet edhe ndeshja e dytë, le të shohim nëse kjo maksimë nuk do të realizohet më me Bastonin”.

Mbrojtësi, i intervistuar ekskluzivisht nga “Sportmediaset”, donte të sqaronte se postimi ishte vetëm një mënyrë për të festuar një fitore të rëndësishme për ekipin e tij në një sfidë që mund të vendosë të ardhmen evropiane të zikaltërve: “Nuk kishte asnjë arsye për të provokuar as Gavi, protagonist i atij aksioni, as popullin e Barcelonës”.

Në këtë mënyrë, Bastoni u përpoq të qetësonte shpirtrat e tifozëve katalanas një prag të duelit të kthimit në “Camp Nou”, që po merr konturet gjithnjë e më tepër të hakmarrjes. Ashtu siç ndodh shpesh në këto raste, në fakt, rrjetet sociale kanë shpërthyer me një sërë frazash prej të cilave, më dashamirësit i referohen pritjes që do t’iu rezervohet zikaltërve në ‘Camp Nou’, ku priten të jenë 100 mijë tifozë.

Urrejtja preku edhe partneren e Bastonit, Camilla Bresciani, e cila ka postuar në Instagram kërcënimet e tmerrshme dhe të tërbuara të marra me mesazhe private: “Do t’ia thyej këmbët burrit tënd, jam afër shtëpisë tuaj, këtu rrotull. Do ta qëlloj, ai nuk do të luajë më futboll”. Gruaja e mbrojtësit zikaltër u përgjigj: “Po sa të neveritshëm jeni”. Dëshmia më e qartë se si historia ka tejkaluar tani çdo kufi sportiv.

(Kosova Sot Online )