Armend Thaqi e fiton çmimin “Ylli i Javës” në Superligë

  • S.A /
  • 17 October 2022 - 13:34
Armend Thaqi e fiton çmimin “Ylli i Javës” në Superligë

Armend Thaqi e ka fituar çmimin “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës në futboll. Mbrojtësi i krahut të djathtë këtë çmim e fitoi për javën e 11-të.  Federata e Futbollit e Kosovës bëri të ditur se vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Rifat Nasufi (KFV KEK-u), Isuf Llumnica (KFV Kosova P) dhe Shyqeri Salihu (KFV Lipjani).

Armend Thaqi u vlerësua si bartës i lojës së kampionëve në ndeshjen kundër Drenicës dhe si më i merituari që skuadra e tij iu shmang humbjes në Skenderaj. Thaqi, i cili po kalon në formë të shkëlqyeshme, realizoi golin e barazimit në minutën e 81-të.

30-vjeçarit, i cili me paraqitjet e tij ka shkëlqyer edhe në Ligën e Konferencës, ka shprehur besimin se në javët në vazhdim skuadra e tij do t’i radhisë fitoret dhe do të jetë sërish në kreun e tabelës.

“Ky çmim për mua është i rëndësisë së lartë, sepse Superliga e Kosovës është gara në të cilën unë jam rritur dhe jam zhvilluar si lojtar, dhe çdoherë kur shpërblehem për ndeshjet në këtë ligë për mua është kënaqësi e veçantë. Ballkani edhe këtë vit po tregon që është ekip i kompletuar dhe i konsoliduar, me synime të qarta që të jemi kampion sërish. Krahas kësaj për mua dhe për bashkëlojtarët e mi është nder që po e përfaqësojmë Kosovën dhe futbollin e saj denjësisht edhe në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Thaqi për faqen zyrtare të FFK-së. 

(Kosova Sot Online )