KFF Vllaznia sot nis rrugëtimin në grupet e Ligës së Kampionëve, ndeshja e parë ndaj Real Madridit

  • S.A /
  • 20 October 2022 - 12:03
KFF Vllaznia sot nis rrugëtimin në grupet e Ligës së Kampionëve, ndeshja e parë ndaj Real Madridit

Yjet e futbollit europian zbresin në mitikun “Loro Boriçi” të Shkodrës për ndeshjen e Champions League për vajza. Kampionia e Shqipërisë, KFF Vllaznia sfidon as më pak as më shumë por Realin e Madridin të enjten pasdite në sfidën e parë të fazës së grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube të UEFA-s.

Një arritje historike e vajzave kuqeblu që u kualifikuan për herë të parë mes 16 skuadrave më të mira të kontinentit me shortin që i ka vënë përballë emrave më të mëdhenj të futbollit të vajzave në Grupi A siç janë Real Madrid, Paris Saint Germain dhe Chelsea.

Vllaznia e nis rrugëtimin e saj në shtëpi me madrilenet, teksa pragsfida është e mbushur me emocione, entuziazëm dhe interes shumë të madh, qoftë nga media, transmetuesit apo edhe tifozët, që pritet të jenë të shumtë në premierën e kampiones shqiptare në fazën e grupeve të Champions. Ndonëse emrat që kanë përballë janë të mëdhenj në kampin kuqeblu ka optimizëm dhe po punohet me intensitet për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze dhe pse jo, për të marrë një rezultat pozitiv.

Sytë e të gjithë shqiptarëve, dhe jo vetëm, do të jenë të enjten nga stadiumi “Loro Boriçi” për të shijuar këtë mbrëmje europiane, nga ato uniket nën himnin e Champions League. Vllaznia vjen në këtë duel pas dy fitoreve dhe një barazimi në turin kualifikues të turneut, ndërkohë që nuk humbet në shtëpi prej 13 ndeshjesh.

Skuadra vjen e plotë në këtë debutim dhe nuk ka mungesa me stafin teknik që do t’i ketë të gjitha lojtaret në dispozicion. Gjatë merkatos verore janë afruar shumë lojtare të huaja, që i kanë dhënë një tjetër marsh ekipit kuqeblu dhe më shumë kualitet.

Edhe pse rrugëtimi i deritanishëm në skenën ndërkombëtare ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka bërë që Vllaznia të hyjë në histori për këtë arritje, skuadra shkodrane nuk kërkon të kënaqet me kaq, por synon të rezultate edhe më të bujshme. Gjithçka është gati për sfidën e shumëpritur të së enjtes që to jetë kulmimi i një pune të gjatë disavjeçare të mbushur me shumë sakrifica dhe ëndrra.

(Kosova Sot Online )