FC Prishtina i reagon Muçiqit rreth deklarimeve të tij, e quan yll të mikrofonit

  • S.A /
  • 24 October 2022 - 08:42
FC Prishtina i reagon Muçiqit rreth deklarimeve të tij, e quan yll të mikrofonit

FC Prishtina ka reaguar përmes një komunikate në faqen zyrtare rreth deklarimeve te Afrim Muçiqit, i cili në emisionin Kendiv në T7 tha se mbetet aksionar i klubit dhe theksoi se trajneri Ismet Munishi nuk është i duhuri për klubin bardh e kaltër.

Madje FC Prishtina i referohet Muçiqit veç si këngëtar dhe yll i mikrofonit.

Në deklaratën e FC Prishtinës thuhet:

Sqarim i opinionit rreth deklaratave publike të ish-aksionarit Afrim Muçiqi!

FC Prishtina njofton opinionin publik se këngëtari Afrim Muçiqi nuk është më pjesë e klubit tonë, ku më herët ka qenë aksionar dhe drejtor. 

Muçiqi së fundmi në një paraqitje televizive në T7 me datë 23.10.2022, ka deklaruar publikisht se ende është aksionar teksa e ka komentuar edhe trajnerin Ismet Munishi duke thënë se nuk është i duhuri për ekipin tonë!

FC Prishtina është jashtëzakonisht e kënaqur me punën e Munishit, i cili erdhi te skuadra jonë në një moment aspak të mirë kur klubi përballej me borxhe të shumta financiare të trashëguara që nga koha e Muçiqit. 

Ylli i mikrofonit ka të drejtë të flas për klubin, por vetëm si tifoz i ekipit nëse ndjehet i tillë, e jo si pjesë e jona. 

Kujtojmë se Muçiqi i ka shitur aksionet e tij te aksionari tjetër në klub, Rrahman Haradini, me ç’rast së shpejti do të përkthehen edhe në ARBK. 

Muçiqi nuk ka qenë pjesmarrës as në Kuvendin e fundit Zgjedhor, ku është zgjedhur kryetari i ri, Hakif Gashi, si dhe anëtarët e tjerë të bordit: Rrahman Haradini, Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu dhe Ismet Begolli.

Me respekt, FC Prishtina!

(Kosova Sot Online )