Ten Hag: Në janar shiteni Cristiano Ronaldon

  • A.P /
  • 24 October 2022 - 15:22
Ten Hag: Në janar shiteni Cristiano Ronaldon

Cristiano Ronaldo do të largohet përfundimisht nga Manchester United në afatin kalimtar të janarit.

Tashmë ka një çarje totale ndërmjet yllit portugez dhe klubit anglez dhe një ndarje mes tyre gjatë dimrit duket të jetë e pashmangshme.

Siç njofton mediumi britanik “The Mirror”, është vetë trajneri Erik ten Hag ai që i ka kërkuar klubit që ta shesë ish-futbollistin e Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe Juventusit

Kështu, trajneri holandez synon të evitojë skena të ngjashme me ato që u panë në duel me Tottenhamin, kur “CR7” nuk pranoi të hynte në lojë si zëvendësues dhe u largua nga bankina ende pa përfunduar mirë loja.

Gjithashtu, ish-trajneri i Ajaxit frikësohet se me Ronaldon në ekip, do të ketë përçarje në ekip, prandaj po mendon të lirohet sa më shpejt nga ai.

Si rezultat, ai u suspendua për ndeshjen me Chelsean dhe u zhvendos për të ushtruar me ekipin e të rinjve.

Në pjesën e dytë të sezonit, ka mundësi që 37 vjeçari të vazhdojë të luajë në Angli, por në radhët e Chelseat. 


(Kosova Sot Online)