Daja: Na pret një lojë e vështirë me Slavia Pragën

  • A.P /
  • 26 October 2022 - 15:22
Daja: Na pret një lojë e vështirë me Slavia Pragën

Ballkani e zhvillon nesër mbrëma njërën prej ndeshjeve kryesore të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.

Therandasit do ta presin Slavia Pragën në kuadër të xhiros së pestë, e cila mund të jetë edhe përcaktuese për fatin e kampionit kosovar.

Skuadra nga Suhareka ndihet e lodhur duke e pasur parasysh orarin e ngjeshur që e kishte, duke luajtur thuajse çdo tri ditë.

Për këtë është i vetëdijshëm edhe trajneri Ilir Daja, shkruan “Gazeta Express”.

Sidoqoftë, ai shpreson që, me përkrahjen e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi Portokalli do t’ia dalë, ndaj ekipit, që e konsideron ai si më të fortin e grupit.

“Energjitë tona nuk janë ato që i kemi pasur më parë, pasi e kishim një agjendë mjaft të ngjeshur. Nuk duam të justifikohemi, por tifozët duhet të vuajnë bashkë me ne në mënyrë që ta bëjmë një çmenduri të radhës, që të shpresojmë ta bëjmë një aventurë tjetër të paimagjinueshme”, deklaroi fillimisht trajneri shqiptar në konferencë për shtyp.

“E kemi një ndeshje shumë të vështirë, me ekipin më të vështirë të grupit, i cili i ka dominuar krejt ndeshjet në grup. Ata kanë shpejtësi veprimi, është e vështirë t’i pengosh, por me mundësitë që i kemi për momentin, do të mundohemi t’ua vështirësojmë sa më shumë punët. Slavia ka qenë njëri prej ekipeve më të forta me të cilat jemi përballur deri tash”, vazhdoi ai

“Jemi të motivuar maksimalisht, në çdo moment e kemi ndier përkrahjen e sportdashësve tanë, por edhe të krejt të Kosovës. Jemi bërë si një Kombëtare e dytë, ose si një Kombëtare mbarëshqiptare sepse është i vetmi ekip që e vazhdon rrugëtimin në Evropë. Motivi nuk na ka munguar, por që duke e parë edhe gjendjen tonë momentale, nuk jemi në formën tonë më të mirë, kundërshtarin e kemi më të fortin e grupit. Nuk do të hyjmë të dorëzuar, por ky është realiteti. Lojtarët tanë janë heronj”, përfundoi Daja.

Aktualisht, Ballkani është i katërti në Grupin G me 4 pikë, tri më pak se liderët Sivasspor dhe Cluj, por me pikë të njëjta me Slavia Pragën.

Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Slavia Pragës do të luhet nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 21:00


(Kosova Sot Online)