Daja e komenton shtyrjen e ndeshjes Ballkani – Prishtina

  • A.P /
  • 26 October 2022 - 15:40
Daja e komenton shtyrjen e ndeshjes Ballkani – Prishtina

Trajneri Ilir Daja e ka komentuar sot shtyrjen e ndeshjes derbi të xhiros së 14-të të Superligës ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës.


Therandasit kërkuan që kjo ndeshje të shtyhej shkaku i orarit të ngjeshur të tyre, pasi po marrin pjesë edhe në garat evropiane, respektivisht në Ligën e Konferencës.

Ndaj vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës për shtyrjen e lojës kishte reaguar mbrëmë FC Prishtina, e cila kishte konsideruar se shtëpia e futbollit kosovar po bën ndërhyrje direkte në garë dhe se po e favorizon një ekip.

E Daja, në konferencë për shtyp sot sqaroi se ekipi Portokalli e ka të pamundur të zhvillojë më shumë ndeshje, në një agjendë jashtëzakonisht të ngjeshur.

“Gjëja më e rëndësishme që e kemi arritur është që i kemi bërë krenarë krejt tifozët, përfshirë këtu edhe ata të Prishtinës. Nuk e kemi kërkuar shtyrjen e lojës për shkak të rezultatit. Ndeshja është shtyrë vetëm që këta lojtarë që i kanë bërë krenarë të gjithë, të mos dëmtohen. Për 24 ditë kemi bërë 8 ndeshje, po luajmë çdo 3-4 ditë. Kjo ka qenë arsyeja”, u shpreh Daja.

Derbi ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës ishte paraparë të luhej këtë fundjavë, por ekipi nga Suhareka do të luajë nesër mbrëma në garat evropiane, e po ashtu edhe javën tjetër, prandaj ishte e pamundur të luante me kryeqytetasit. 

(Kosova Sot Online)