Sterling ishte afër transferimit te Reali para se t’i bashkohej Chelseat

  • A.P /
  • 31 October 2022 - 22:54
Sterling ishte afër transferimit te Reali para se t’i bashkohej Chelseat

Raheem Sterling besohet se ishte afër kalimit te Real Madridi në afatin kalimtar të verës.

Reprezentuesi anglez i dha fund qëndrimit të tij shtatëvjeçar te Manchester City për t’u transferuar te Chelsea, klub me të cilin nënshkroi kontratë pesëvjeçare

Para se të kalonte në “Stamford Bridge”, Sterling ishte i lidhur shpesh me një transferim në La Liga.

Barcelona dhe Real Madrid thuhet se kanë qenë të interesuara për 27-vjeçarin, me një marrëveshje huazimi që mendohet të ketë qenë një mundësi në një fazë.

Sipas “AS”, Sterling mund të kishte përfunduar në “Santiago Bernabeu”, por rregullat mbi nënshkrimin e lojtarëve jashtë BE-së prishën një lëvizje të tillë.

Rregullat e La Liga-s përcaktojnë që skuadrat mund të kenë vetëm deri në pesë lojtarë nga shtetet e jo BE-së dhe vetëm tre mund të përzgjidhen për një ndeshje.

“Los Blancos” ishin në limitin e tyre gjatë afatit kalimtar të verës dhe kështu nuk ishin në gjendje të nënshkruanin edhe me një lojtar të tillë.

Sipas mediumit spanjoll, Real Madridit iu ofrua shansi për të nënshkruar me ish-sulmuesin e Liverpoolit, por në fund u detyrua të hiqte dorë.

Treshja braziliane, Eder Militao, Rodrygo dhe Vinicius Junior, morën së fundmi shtetësinë e dyfishtë duke u bërë edhe shtetas spanjollë.

Kështu, tani është e hapur mundësia për klubin spanjoll për të nënshkruar me lojtarë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian në të ardhmen.

(Kosova Sot Online)