Eddie Hearn ka parashikim të keq: Karriera e Joshuas do të marrë fund nëse humb në prill

  • S.A /
  • 13 January 2023 - 11:13
Eddie Hearn ka parashikim të keq: Karriera e Joshuas do të marrë fund nëse humb në prill

Eddie Hearn ka pranuar se karriera e Anthony Joshuas do të marrë fund, nëse ai e humb meçin e tij të radhës.

33-vjeçari pritet të kthehet në ring më 1 prill për një duel rikthimi në O2 Arena të Londrës. Ish-kampioni i botës në kategorinë e peshave të rënda regjistroi dy humbje të njëpasnjëshme nga Oleksandr Usyk duke arritur në tri humbje nga pesë meçet e fundit (pasi ishte mposhtur edhe nga Andy Ruiz Jr në sfidën e tyre të parë). Joshua dëshiron të shënojë një sfidë të madhe rikthimi që do ta kthente në formë dhe do t’ia kthente vetëbesimin.

Mirëpo, presioni është shumë i madh mbi AJ, pasi nëse ai do të humbte nga një emër më i vogël, atëherë mund të shënojë edhe fundin e karrierës së tij.

“Shkon në atë meç në prill duke e ditur se humbja i jep fund gjithçkaje, vërtet. Do të ishte humbja e tretë radhazi, ndërsa një performancë spektakolare dhe një nokaut do t’i bënte të gjithë të thoshin: ‘Jemi rikthyer’”.

“Këtë mezi po e pres, sepse më pëlqen kur jemi të mbështetur me shpinë për muri. Jam i entuziazmuar. Jam vërtet i entuziazmuar. Tash jam më së shumti i entuziazmuar në rrugëtimin e Joshuas deri më tani”, ka deklaruar promovuesi i tij, Hearn, për iFL TV.

Boksieri nga Watfordi ka qenë i lidhur për një duel në muajin prill me ish-partnerin e tij të sparringut, Demsey McKean.

(Kosova Sot Online )