Ndeshja kryesore e javës së 18-të në Superligë -Trepça – Prishtina

  • S.A /
  • 13 January 2023 - 12:56
Ndeshja kryesore e javës së 18-të në Superligë -Trepça – Prishtina

Ndeshja e nesërme Trepça – Prishtina,  është ndeshja kryesore e javës së 18-të në Superligë, shkruan "Kosova Sot Online".

Fundjava sjell ndeshje tejet interesante në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të shtunën dhe të dielën do të zhvillohet takimet e vlefshme për xhiron e 18-të.

Vëmendja kryesore do të jetë në palestrën “Minatori”, aty ku Trepça përballet me Sigal Prishtinën.

Kjo përballje, Prishtinën e gjen në krye të tabelës, me tre pikë më shumë se mitrovicasit që janë të katërtit.

Nga dy ndeshjet e luajtura mes tyre në këtë edicion, secila ka nga një fitore.

Bardh e kaltrit shkojnë në Mitrovicë, pas triumfit të lartë në derbi me Pejës në mesjavë, teksa Trepça iu rikthye fitores përballë Rahovecit në udhëtim.

Kjo përballje do të luhet të shtunën nga ora 17:00. Po atë ditë, por në 19:00, Ponte Prizreni pret Golden Eagle Yllin.

Kjo është ndeshja e dytë e tyre brenda pak ditësh, pasi që u përballen edhe në mesjavë, ku suharekasit fituan me rezultat të ngushtë.

Që kur në xhiron e katërt Ponte e kishte mposhtur Yllin, kjo skuadër nuk di për humbje më, ka marrë 12 fitore rresht. Kjo ecuri fantastike, i ka ngritur kampionët në vendin e tretë. Në krahun tjetër, prizrenasit janë të parafundit në klasifikim. 

Të dielën na presin dy ndeshjet tjera. Nga ora 17:00, Peja i shkon Vëllaznimit dhe do kërkojë fitoren që të mbetet në garë për pozitën e parë.

Në krahun tjetër, gjakovarët të dalin në vendin e pestë, duke kaluar Bashkimin, nëse eventualisht pëson.

Bilanci mes tyre është i barabartë, me pejanët që fituan si mysafir, e njëjtë edhe gjakovarët. 

Sfida e fundit do të jetë mes Bashkimit e Rahovecit. Prizrenasit cilësohen favorit, duke parë formën tejet të dobët të vreshtarëve, të cilët e shohin vetën në fund të tabelës.

Njërën nga dy fitoret e vetme të rahovecasve deri më tani është pikërisht ndaj portokallinjve.

(Kosova Sot Online )