Nadal eliminohet në raundin e dytë të Australian Open pas një lëndimi serioz

  • S.A /
  • 18 January 2023 - 11:45
Nadal  eliminohet në raundin e dytë të Australian Open pas një lëndimi serioz

Kampioni në fuqi, Rafael Nadal u eliminua nga Australian Open të mërkurën në mëngjes pasi lëndoi ijën e këmbës së majtë dhe humbi ndaj Mackenzie McDonald (6-4, 6-4, 7-5) në raundin e dytë, duke i dhënë fund garës për të fituar Grand Slamin e 23-të në karrierë, përcjell "Kosova Sot Online".

Nadali humbi setin e parë dhe po zmbrapsej në të dytin, ndërsa humbi edhe të trein kundër amerikanit të renditur në vendin e 65-të.

Megjithatë, humbja e spanjollit erdhi pas një lëndimi të pësuar gjatë ndeshjes.

Ai u vizitua nga një trajner në vijën anësore, më pas u largua nga fusha për një ‘timeout’ mjekësor. Në tribunë, gruaja e tij fshiu lotët.

Largimi më i hershëm i Nadalit në ndonjë turne Grand Slam që nga viti 2016

Ndonëse Nadal ishte i vendosur për të përfunduar ndeshjen, ishte e qartë se kampioni i madh ishte i komprometuar fizikisht dhe ëndrrat e tij për të mbrojtur titullin u zhdukën.

Ky është eliminimi më i hershëm i Nadalit në çdo turne Grand Slam që kur u eliminua në raundin e parë në Melburn më 2016 kundër bashkëkombësit të tij, Fernando Verdasco.

Ndryshe, McDonald kurrë nuk e ka kaluar raundin e katërt në një turne madhor.

Në ndeshjen e tij të vetme të mëparshme kundër Nadalit, në French Open 2020, McDonald fitoi gjithsej vetëm katër ‘games’.

(Kosova Sot Online )