Ja cilat janë çiftet gjysmëfinale të “play-offit” të Ligës së Kombeve

  • S.A /
  • 25 January 2023 - 13:37
Ja  cilat janë  çiftet gjysmëfinale të “play-offit” të Ligës së Kombeve

Medalistja e bronztë e Botërorit të fundit, Kroacia do të përballet me mikpritësen Holanda në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve në muajin qershor, ndërsa Italia dhe Spanja do ta përsërisin rivalitetin e tyre në gjysmëfinalen tjetër të kësaj gare, përcjell "Kosova Sot Online".

Katër Kombëtaret ishin fituese të grupeve përkatëse në Ligën A vitin e kaluar dhe do të përballen në mes vete në një mini-turne në mesvit për ta vendosur titullin e edicionit 2022/23.

Në shortin e së mërkurës, i hedhur në Nyon të Zvicrës, “Tulipanët”, që do ta organizojnë këtë fazë, do t’i presin kroatët, gjysmëfinalistë të freskët në Kupën e Botës, që u mbajt në Katar.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në Rotterdam më 14 qershor, kurse “Azzurri” dhe “Stuhia e Kuqe” do të ballafaqohen mes vete në Enschede një ditë më pas.

Fituesit e këtyre dueleve do të luajnë në finalen e 18 qershorit në Rotterdam, ndërsa loja për vend të tretë të “play-offit” do të luhet pak orë më herët në të njëjtën ditë në Enschede.

Spanja ishte finaliste e edicionit të kaluar pasi ishte mposhtur nga Franca 1:2 në Milano të Italisë në vitin 2021.

Italia dhe Holanda po ashtu do të marrin pjesë për herë të dytë në këtë fazë, kurse Kroacia për herë të parë.

(Kosova Sot Online )