Kosova merr një lajm të madh nga CEV

  • A.P /
  • 27 January 2023 - 22:23
Kosova merr një lajm të madh nga CEV

Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) ka përcaktuar Kosovën si organizatore të raundit të dytë kualifikues të Kampionatit Evropian për grupmoshën U17, i cili do të zhvillohet mes datave 21-23 prill 2023.

Ndeshjet do të zhvillohen në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, derisa Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) e ka vlerësuar këtë si “një lajm fantastik për komunitetin kosovar të volejbollit”, me FVK-në që jo për të parën herë merr dritën e gjelbër nga institucioni më i lart evropian i volejbollit për të organizuar një garë të një niveli të rëndësishëm.

Kosova është pjesë e Grupit E, së bashku me Ukrainën, Blegjikën dhe Estoninë dhe nuk do të ketë përballje të lehta përballë skuadrave që i ka në grup.

Vashat kosovare U17, të cilat bënë historinë duke arritur në këtë fazë falë paraqitjeve brilante në Ankara të Turqisë nën drejtimin e përzgjedhësit Donald Suxho, do ta kenë avantazhin e zhvillimit të ndeshjeve si nikoqire.

FVK njoftoi se do të kryejë të gjitha parapërgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij raundi kualifikues.

(Kosova Sot Online)