Arsenali po përgatit kontratën e re për Xhakën

  • A.P /
  • 03 February 2023 - 19:06
Arsenali po përgatit kontratën e re për Xhakën

Arsenali duket se do t’i ofrojë Granit Xhakës një kontratë të re, që do të thotë se ai përfundimisht mund të pensionohet në “Emirates Stadium”.

Pas zyrtarizmit të marrëveshjes së re me Gabriel Martinellin, i cili nënshkroi kontratë deri në vitin 2027, Arsenali tani synon të “blindojë” yjet tjerë

Bukayo Saka dhe William Saliba mendohet se do të jenë të radhës në listë.

Por, Mikel Arteta gjithashtu dëshiron ta mbajë Xhakën në skuadër pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse këtë sezon.

Sipas “The Sun”, Arsenali do t’i ofrojë mesfushorit nga Kosova një kontratë të re të përmirësuar. Mediumi britanik gjithashtu bëri të ditur se klubi do t’i ofrojë kontrata të reja edhe Sakas e Salibas, duke shtuar se kërkohet që të gjitha këto të kompletohen sa më shpejt.

Në vitin 2021, Xhaka nënshkroi një marrëveshje të re me “Topçinjtë”, të vlefshme deri në verën e vitit 2024. Në marrëveshje është edhe opsioni për zgjatje të bashkëpunimit edhe për një vit më shumë.

Tani në moshën 30-vjeçare, një marrëveshje e re dhe e përmirësuar afatgjatë për reprezentuesin e Zvicrës mund edhe t’ia mundësojë atij pensionimin te klubi londinez.

Granit Xhaka po luan një rol të madh për liderët e Premierligës këtë sezon, që lirisht mund të thuhet se është sezoni më i mirë për lojtarin që nga transferimi i tij në vitin 2016.

Derisa vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm në formacionin bazë të Artetas, ish-mesfushori i Borussia Monchengladbachit ka shënuar katër gola dhe pesë asistime deri më tani.

Vlen të theksohet se falë paraqitjeve të tij të mira këtë sezon, Granit Xhaka ka rregulluar edhe raportet me tifozët. 

(Kosova Sot Online)