Ja si ishte bindur Qiro Bllazheviq ta linte kampionin edhe zviceran për ta drejtuar Prishtinën!

  • S.A /
  • 08 February 2023 - 09:24
Ja si ishte bindur Qiro Bllazheviq ta linte kampionin edhe zviceran për ta drejtuar Prishtinën!

Mirosllav Qiro Bllazheviq nuk do të harrohet kurrë nga kosovarët për kontributin që e kishte dhënë në periudhën sa ishte trajner i FC Prishtinës, përcjell "Kosova Sot Online".

Trajneri kroat, i cili ndërroi jetë sot, kishte folur vite më parë për eksperiencën e jashtëzakonshme në kryeqytetin kosovar, teksa kishte zbuluar se kishte bërë shumë sakrifica për të ardhur dhe për ta drejtuar ekipin e artë të Prishtinës.

“Ishte çmenduri apo guxim të largohesha prej Zvicrës për Prishtinën? Mendoj se ishte çmenduri. Nëse nuk je trajner i çmendur, vështirë se mund të bën karrierë. Në këtë rast, unë e konfirmoj se kam qenë krejtësisht i çmendur. U shpalla kampion me Grasshopperin dhe erdhën disa njerëz duke më ofruar një punë në një ekip pa shpresë. Më ekzaltuan kur më thanë se vetëm unë mund t’i shpëtojë. Kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse gjithmonë i kam dashur këto sfida”, kishte thënë trajneri kroat.

Ai më tutje e kishte përshkruar edhe momentin se si ia kishte kumtuar largimin zyrtarëve të klubit të Grasshoppersit.

“Unë i thashë Presidentit të Grasshoppersit se do të shëtiti rrugëve të ngarkuara të qytetit të Cyrihit dhe nëse askush nuk më njeh, do të largohem. Më besoni, pak kush më njohu dhe për më tepër, më shikonin me sy si të një vrasësi. Pastaj vendosa të largohem. Në Prishtinë, unë u prita me shalle të bardha dhe për një moment mendova se nuk ishin aq të varfër sa thuhej. Por pastaj kam zbuluar se kanë prerë fletë në formë të shalleve të bardha”, kishte thënë Bllazheviq.

Qiro gjithashtu kishte thënë ndërkohë se të qenit trajneri i skuadrës prishtinase ishte një aventurë e paharrueshme.

“Prishtina ishte aventurë e paharrueshme. Këtë ia kujtoj nipërve dhe mbesa të mia, duke u thënë se nuk më lejonin të paguajë asgjë sa isha atje”, kishte shtuar Qiro.

Në Prishtinë, gjithashtu kishte edhe truproja, por njerëzit e adhuronte dhe Qiro askënd nuk e ka refuzuar që të fotografohej me legjendarin.

(Kosova Sot Online )