Xhaka i dëshpëruar me barazimin, po e pret lojën e madhe me Cityn

  • S.A /
  • 13 February 2023 - 11:06
Xhaka i dëshpëruar me barazimin, po e pret lojën e madhe me Cityn

Granit Xhaka ndihet keq që Arsenali e bëri gabimin e radhës duke barazuar me Brentfordin i cili ua mundësoi rivalëve t’i afrohen në krye të tabelës. “Topçinjtë” tash i kanë tri pikë më shumë se Manchester City, i cili megjithatë e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar, shkruan "Kosova Sot Online ".

Të dy ekipet do të përballen të mërkurën në “Emirates Stadium” në një ndeshje që pritet të jetë e zjarrtë dhe përplot me emocione. “Ne jemi të dëshpëruar natyrisht, e dinim se si do të luante Brentfordi, ishte e vështirë t’y thyenim ata, por ia dolëm.

Pas saj, ne është dashur të bënim më shumë, të ishim më të zgjuar kur ishim 1:0 dhe t’i merrnin tri pikë. Krijuam raste për t’i marrë tri pikë dhe jemi të zhgënjyer. Sa i përket referimit, nuk e di se përse ndryshojnë rregullat javë pas jave”, u shpreh fillimisht futbollisti kosovar për mediat angleze.

“Nëse duhet të jemi të sinqertë, ne nuk do të flasim për ta (Cityn). Ne duhet ta shikojmë veten, lojë pas loje. Ne nuk fituam (të shtunën), e morëm një pikë. Dhe, të mërkurën është një ndeshje e madhe, për ata dhe për ne. Kështu që, le ta shohim”, vazhdoi Xhaka, i cili këtë sezon është lojtari kryesor i ekipit të Mikel Artetas.

Arsenali synon ta fitojë titullin e kampionit në Angli pas pritjes së gjatë prej gati dy dekadash. 

(Kosova Sot Online )