Drejtori sportiv i Augsburgut “e sponsorizon” Mërgim Berishën drejt Kombëtares së Gjermanisë

  • S.A /
  • 13 February 2023 - 13:51
Drejtori sportiv i Augsburgut “e sponsorizon” Mërgim Berishën drejt Kombëtares së Gjermanisë

Mërgim Berisha po shkëlqen këtë sezon në fanellën e Augsburgut. Sulmuesi kosovar është i huazuar në klubin e Bundesligës nga Fenerbahçe, ndërsa e ka gjetur formën optimale në vendlindjen e tij. E kjo ka bërë që ish-futbollisti i Salzburgut të bie në sy edhe të Kombëtares gjermane, përcjell "Kosova Sot Online".

Ai kishte luajtur në të kaluarën për ekipin U-21 të Gjermanisë, ndërsa tash mediat gjermane po shkruajnë vazhdimisht se futbollisti nga Suhareka mund të ftohet nga selektori Hansi Flick, i cili e ka dërguar njërin nga ndihmësit e tij për ta vëzhguar Berishën në ndeshjen e javës së kaluar, shkruajnë mediat gjermane. 24 vjeçari i ka realizuar pesë gola në Bundesliga, ndërsa herën e fundit shënoi ndaj Bayer Leverkusenit.

Trajneri i tij, Enrico Maassen e ka lavdëruar Berishën, duke thënë se janë të paktë “9”-shat si ai në Gjermani.

E ndërkohë, lojtarin nga Kosova e ka lavdëruar edhe drejtori sportiv i Augsburgut, Stefan Reuter, i cili po shpreson që ta blejë kartonin e Berishës në fund të këtij sezoni.

“Mërgimi ka shënuar gola të rëndësishëm dhe vendimtarë për ne, kjo është diçka e madhe. Është normale që ai të jetë në shënjestër dhe në vëzhgim”, deklaroi Reuter, sipas të së cilit është veç çështje kohe kur Berishën do ta thërrasë Kombëtarja A e Gjermanisë.

Edhe vetë futbollisti kosovar do ta mirëpriste një ftesë eventuale nga “Die Mannschaft”, ani pse atë qe një kohë e do edhe Kombëtarja e Kosovës.

“Natyrisht, do të isha i lumtur nëse do të ftohesha. Gjëja e vetme me të cilën po merrem është që ta jap 100 për qindëshin nga vetja në fushë dhe ta nxjerr maksimumin nga vetja”, u shpreh futbollisti në pronësi të Fenerbahçes, i cili i kishte zhvilluar 13 ndeshje dhe e kishte shënuar një gol me ekipin U-21 të Gjermanisë.

Berisha e ka pranuar se do të donte ta vazhdonte eksperiencën në Bundesligë edhe pas këtij sezoni pasi nuk dëshiron të rikthehet më në Stamboll. 

(Kosova Sot Online )