Muriqi i lumtur për golin, por i brengosur për humbjen

  • S.A /
  • 27 February 2023 - 12:15
Muriqi i lumtur për golin, por i brengosur  për humbjen

Vedat Muriqi ndihet i lumtur që shënoi prapë në fundjavën që shkoi, por sulmuesi kosovar e ka shfaqur brengën e tij për humbjet që po i pëson Mallorca në udhëtim, shkruan "Kosova Sot Online".

Edhe këtë radhë, klubi ishullor pësoi humbje, në shtëpi të Espanyolit dhe goli i “Piratit” ishte i pavlefshëm dhe i parëndësishëm për ekipin e tij, shkruan “Kosova Sot Online". 

Përfaqësuesi kosovar kërkon nga shokët e skuadrës që të bëjnë më shumë për ta ndryshuar mentalitetin kur të luajnë në udhëtim dhe të nxjerrin pikë edhe si mysafirë.

“Nuk kam fjalë, në udhëtim diçka nuk po shkon, nuk po funksionon. Këtu nuk ka shaka, jemi në kampionatin më të fortë në botë dhe duhet t’i bëjmë 40 pikë sa më shpejt të jetë e mundshme siç thotë trajneri dhe më pas të ëndërrojmë. Duhet ta gjejmë zgjidhjen shpejt dhe me qetësi. E nisëm pjesën e dytë keq, siç po bëjmë zakonisht kur po luajmë jashtë shtëpisë sonë”, u shpreh 28 vjeçari për mediat spanjolle.

“Nëse skuadra ime humb, nuk më interesoj nëse shënoj apo jo. Është më mirë të mos shënoj dhe të fitojë skuadra. Jam i lumtur për golin tim, por në fund asgjë”, shtoi Muriqi, i cili e realizoi një gol fantastik ndaj Espanyolit nga jashtë 16 metërshit.

Për ta përforcuar mesazhin e tij, ish-futbollisti i Fenerbahçes dhe i Lazios e ka bërë një “twitt” duke shkruar: “tash më të fortë, më inteligjentë dhe të bashkuar”, të cilit ia ka përcjell një fotografi të skuadrës duke e festuar golin e tij.

(Kosova Sot Online )