Futbollisti kosovar Vedat Muriqi synon t’i kalojë edhe yjet e Mallorcas

  • S.A /
  • 28 February 2023 - 12:00
Futbollisti kosovar Vedat Muriqi synon t’i kalojë edhe yjet e Mallorcas

Vedat Muriqi po shkëlqen në këtë sezon me Mallorcan. Ylli kosovar i ka realizuar 10 gola deri tash në këtë edicion pas 23 xhirosh të zhvilluara në La Liga, dhe kjo ka bërë që 28 vjeçari të futet në mesin e lojtarëve të paktë që kanë arritur të shënojnë numër dyshifror të golave për ekipin ishullor në kampionatin spanjoll, shkruan “Kosova Sot Online" .

Përfaqësuesi kosovar e gjeti golin e dytë radhazi në dy xhirot e fundit teksa shënoi në humbjen nga Espanyoli.Ai me këtë rast gjendet lart në listën e golashënuesve më të mirë të La Ligas, vetëm një gol prapa Topit të Artë, Karim Benzema dhe 5 gola prapa liderit, Robert Lewandowski.

Synim i ish-futbollistit të Fenerbahçes është që t’i kalojë lojtarët si Aritz Aduriz (12 gola), Tomer Hemed (11), Pierre Webo (11) apo edhe Ante Budimir (13). Nëse vazhdon me ritëm të njëjtë, e duke e pasur parasysh se përpara i ka edhe 15 xhiro, “Pirati” mund ta arrijë një gjë të tillë, duke mbetur vetëm prapa Dani Guizas, që i kishte shënuar 27 gola, Magdaleno (19) apo Diego Tristan (18). Muriqi po tregohet si njëri prej golashënuesve më të mirë të Mallorcas në Shekullin XXI. Prizrenasi është bërë mjaft i dashur për tifozët e Mallorcas. 

(Kosova Sot Online )