Messit i realizohet ëndrra, do të jetë personazh i një filmi

  • A.P /
  • 07 March 2023 - 15:07
Messit i realizohet ëndrra, do të jetë personazh i një filmi

Lionel Messit i është realizuar njëra prej ëndrrave të tij jetësore.

Ylli argjentinas do të jetë personazh i një filmi të animuar, të krijuar nga Sony Music Entertainment.

Gjithashtu, kampioni i freskët i botës do të jetë pjesë e ekranit të vogël edhe përmes një videoloje, ku natyrisht se do të jetë protagonist i fëmijëve dhe të rinjve që do ta luajnë këtë lojë.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë dhe shtatë herë lojtari më i mirë në botë i zgjedhur nga FIFA, ndihet i kënaqur me projektin.

“Që kur isha fëmijë, më kanë pëlqyer gjithmonë serialet e animuar dhe fëmijët e mi janë fansa të mëdhenj të personazheve të animuar. Të jem në gjendje të marr pjesë në një projekt animacioni më bën të lumtur, sepse ma bën realitet një nga ëndrrat e mia. Do të doja ta falënderoja Sony Music që iu bashkua këtij projekti dhe shpresojmë që rezultati t’ju pëlqejë të gjithëve, veçanërisht vajzave dhe djemve.”

Seriali do ta portretizojë Messin si një fëmijë teksa ai përballet me pengesa gjatë udhëtimit përmes një videoloje.

Në sfond do të shfaqet muzikë origjinale nga artistë dhe kompozitorë të Sony Music Entertainment.

Messi konsiderohet gjerësisht si një nga futbollistët më të mëdhenj i të gjitha kohërave.

Fitorja e Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2022 kundër Francës e forcoi statusin e tij edhe më tej, duke shënuar dy gola dhe duke qenë lojtari i ndeshjes.

Ai e theu rekordin për më shumë paraqitje në Kupën e Botës me 26 paraqitje dhe i shënoi 98 gola në 172 paraqitje për Kombëtaren e tij, si dhe 474 gola në 520 paraqitje për ish-klubin e tij Barcelonën.

Që nga viti 2021, Messi është pjesë e Paris Saint-Germainit, ku i ka shënuar 18 gola në 46 ndeshje, dhe gjithashtu e ka fituar shtatë Topa të Artë, një rekord absolut si lojtari më i mirë në botë.

Seriali do të prodhohet në anglisht, spanjisht dhe në disa gjuhë të tjera.

Divizioni Premium i përmbajtjes i Sony Music, i cili po prodhon në partneritet me Leo Messi Management, mbikëqyr zhvillimin dhe shpërndarjen e serisë.

Aktualisht, nuk ka ende një datë për premierën e serialit. 


(Kosova Sot Online)