Mbrohet në heshtje kreu i FFK-së Agim Ademi

  • A.P /
  • 07 March 2023 - 17:01
Mbrohet në heshtje kreu i FFK-së  Agim Ademi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe Muharrem Rama, në seancën e rigjykimit janë mbrojtur në heshtje lidhur me akuzën ndaj tyre për detyrim.

Ademi dhe Rama akuzohen se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritro Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, prokurorja Elza Bajrami ka deklaruar se mbetet pranë fjalës hyrëse e cila ishte dhënë në seancën e parë më 10 tetor 2017.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve Ademi dhe Rama, avokatët Fis Murati dhe Ramiz Krasniqi thanë se mungon elementi cilësues apo kualifikues i veprës penale, pasi që sipas tyre nuk kemi të bëjmë me grup por me dy persona.

Avokati Murati, i cili në këtë çështje mbron të akuzuarin Ademi, tha se e kundërshton në tërësi aktakuzën, duke shtuar se e njëjta ka mangësi dhe nuk është përpiluar në përputhje me ligjin procedural dhe material i cili ka qenë në fuqi në atë kohë.

“I mbrojturi im akuzohet për një vepër e cila nga formulimi i saj është mjaftë i paqartë dhe e cila dispozitë ligjore ku parashihet kjo vepër penale e kërkon pjesëmarrjen e së paku tre personave për kryerjen e të njëjtës, pra në rastin konkret ne kemi vetëm dy të pandehur”, ka thënë ai.

Tutje, avokati Murati ka shtuar se përderisa ka paqartësi të tilla, dispozitat të cilat janë të paqarta duhet të aplikohen në dobi të të pandehurit.

“Rrjedhimisht përderisa kemi paqartësi të tilla atëherë në përputhje me nenin 1 paragrafi 3 të Kodit të Përkohshëm Penal, të gjitha dispozitat ligjore të cilat janë të paqarta duhet të aplikuar në dobi të të pandehurit”, tha Murati.

Avokati Murati në fund tha se aktakuza në fjalë ka mangësi të tilla për të cilat sipas tij konform nenit 357 të Kodit të ri mund të hedhet poshtë ose e njëjta mund të refuzohet për shkak të parashkrimit.

“Edhe përkundër asaj që nuk kemi asnjë provë të re e cila të mbrojturin tim e ngarkon me përgjegjësi penale, aktakuza në fjalë i referohet dispozitës ligjore nga neni 267 paragrafi 1, e cila vepër penale konform nenit 90 paragrafi 1 nën paragrafi 4 është e parashkruar absolutisht për shkak se veprimi i fundit kriminal i dyshuar thuhet se është marr në shtator të vitit 2012, andaj në shtator të vitit 2022 kemi parashkrim absolut të kësaj vepre penale”, ka thënë avokati Murati.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Krasniqi, tha se vepra penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij nuk është vepër penale.

“Është shumë interesant se si ish-prokurori kur e ka ngrit këtë aktakuzë të njëjtën e ka bazu edhe në një dispozitë ligjore të kodit i cili kur është kry kjo vepër penale nuk ka qenë në fuqi”, ka shtuar ai.

Pas kësaj, gjykatësi i çështjes Sabit Sadikaj, administroi provat materiale.

Pasi që nuk kishte propozime për prova të reja, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua të mbahet më 10 mars 2023, ku pritet që palët të deklarohen në fjalën përfundimtare.

Ndryshe, seanca e sotme është mbajtur në mungesë të të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit, Dritro Kadolli, i cili për të tretën herë më radhë nuk është paraqitur në gjykatë.

Gjykatësi i çështjes, Sabit Sadikaj konstatoi se Kadolli është ftuar në mënyrë të rregullt dhe nga i njëjti gjykata ka pranuar një shkresë përmes së cilës ai ka njoftuar se jeton në Angli dhe duhet të ftohet 45 ditë më herët.

Gjykatësi Sadikaj pas kësaj kërkoi mendimin e palëve lidhur me vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor pa prezencën e të njëjtit dhe leximin e deklaratave e tij të dhëna në shqyrtimin e kaluar.

Lidhur me këtë, avokatët dhe të akuzuarit u pajtuan që shqyrtimi gjyqësor të vazhdoj, e po ashtu kjo nuk u kundërshtua as nga prokurorja Bajrami.

“Deri më tani janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta siguruar pjesëmarrjen në procedurë penale si dëshmitar, në seancat e mëparshme i dëmtuari në detaje e ka sqaruar gjithë rastin, prandaj leximin e deklaratës së tij e konsiderojmë se është i mjaftueshëm për të vazhduar tutje me procedurë”, ka thënë prokurorja Bajrami.

Të akuzuarit Ademi dhe Rama, më 7 nëntor 2022 në seancën e rigjykimit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihet barrë.

Një tentativë për fillimin e rigjykimit ishte bërë më 24 mars 2021 kur ishte caktuar një seancë për këtë rast, por ajo seancë kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarve.

Për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda tani ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo lëndë, fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, e kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu kishte pohuar se kjo lëndë tanimë ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.

Ndryshe, aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”.

Kjo veturë, sipas prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të padrejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtorë Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.

Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.

Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012. Kurse, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.

Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.

Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.

Lidhur me këtë kërkesë, Supremja në korrik të vitit 2020 ka vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme.


(Kosova Sot Online)