Dhuna pas derbit mes Llapit dhe Ballkanit: Lirohen 21 tifozët e arrestuar, dëmi që shkaktuan mbi 10 mijë euro

  • S.A /
  • 13 March 2023 - 10:16
Dhuna pas derbit mes Llapit dhe Ballkanit: Lirohen 21 tifozët e arrestuar, dëmi që shkaktuan mbi 10 mijë euro

Tani më  jemi mësuar të shohim veprime  huligane të tifozëve nëpër stadiumet e Kosovës. Kjo  vlerësuar si tejet shqetësuese, pasi prish imazhin e sportit në vend, por praktikat e tilla  nuk po ndalen. Përveç përleshjeve mes grupeve, sulmeve në drejtim të sportistëve  të ekipeve të ndryshme, po  dëmtohen edhe stadiumet, shkruan "Kosova Sot Online".

Sjellje e tillë huligane ndodhi dje pas derbit të zhvilluar në Podujevë në mes të Llapit e Ballkanit, ku u arrestuan  21 persona, të cilët u shoqëruan në stacion policor, nën dyshimet se penguan dhe sulmuan Policinë, si dhe për veprimet e tyre huligane.

 

Pamjet e trishta u shpërndanë gjithandej, të dyshuarit u intervistuan nga hetuesit policorë lidhur me rastin, kurse  në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur 3 thika, teksa si pasojë e veprimeve të tifozëve janë dëmtuar rreth 200 ulëse të plastikës, duke shkaktuar dëm mbi 10 mijë euro.



Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka vendosur t’i lë të lirë tifozët e dyshuar dhe ndaj tyre të iniciohen rastet për veprat me të cilat ngarkohen.

Tensionet në tribuna filluan me të vërshëllyer gjyqtari për fundin e takimit, ku ata u panë duke u përleshur me karrige, ndërsa nuk mungoi intervenimi i Policisë së Kosovës, të cilët fillimisht bllokuan rrugën e pastaj arrestuan akterët e dhunës dhe ata që shkaktuan dëm në stadiumin Zahir Pajaziti.

(Kosova Sot Online )