Hazard nuk e njeh Tedescon

  • A.P /
  • 13 March 2023 - 19:00
Hazard nuk e njeh Tedescon

Eden Hazard njoftoi për pensionimin e tij nga Kombëtarja e Belgjikës pas Kupës së Botës “Katar 2022”, ndërsa përzgjedhësi Roberto Martinez dha dorëheqje.

Ndihmës-trajneri te Belgjika, Thierry Henry, mund të kishte zëvendësuar Martinezin e larguar, i cili pastaj e mori drejtimin e Portugalisë

Megjithatë, sulmuesi legjendar i Francës nuk aplikoi për këtë punë dhe ish-trajneri i RB Leipzig, Domenico Tedesco, mori miratimin nga Federata Belge e Futbollit.

Kjo e befasoi Hazardin, i cili tha se po priste që legjenda e Arsenalit të merrte drejtimin e “Djajve të Kuq”.

 “Unë prisja që të ishte Thierry Henry”, tha ai për “RTBF”, duke shtuar: “Unë e kuptoj rrugën e ndjekur nga kombëtarja dhe dëshirën për të mbyllur kapitullin e Martinezit dhe për të ecur përpara”.

Anëtari i Real Madridit tutje pranoi se nuk e dinte se kush ishte Tedesco.

“Kam folur me lojtarët gjermanë në Real Madrid dhe ata më thanë se ai është një trajner shumë i mirë”, tha 32-vjeçari.

Tedesco do të emërojë skuadrën e tij të parë të Belgjikës të premten, në prag të fillimit të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Belgjika do të përballet me Suedinë në Stokholm, më 24 mars, dhe do të luajë një miqësore me Gjermaninë pas katër ditësh, në Koln. 


(Kosova Sot Online)