Laporta shpërthen në lot , kur foli për akuzat kundër Barcelonës në rastin “Negreira”

  • S.A /
  • 14 March 2023 - 15:46
Laporta  shpërthen në lot , kur foli për akuzat kundër Barcelonës në rastin “Negreira”

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta u përlot kur paralajmëroi kundërshtarët se do të luftojë për të pastruar emrin e tij dhe të klubit, shkruan "Kosova Sot Online".

Gjigantët e La Ligës janë kapur nga një stuhi korrupsioni pasi u zbulua se ishin bërë pagesa te ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA), Jose Maria Enriquez Negreira.

“Mezi pres të përballem me të gjithë të poshtrit që po njollosin simbolin tonë. Barça është një klub me vlera. Ne e përdorim fjalën vlera jo për t’u dukur mirë, por sepse vlerat janë me të vërtetë një pjesë themelore e modelit tonë të përsosmërisë sportive”, ka thënë ai fillimisht.

“Kjo është arsyeja pse Barça është e admiruar dhe e njohur në të gjithë botën. Ndodh gjithashtu që disa, të motivuar nga zilia, të përpiqen të gërryejnë reputacionin tonë me fushata të kryera me keqbesim”.

“Ndjenja e Barcelonës nuk mund të blihet apo shitet, por nuk mund të njolloset. Dhe kohët e fundit, dhe unë përfitoj nga fakti që njerëzit që e duan klubin janë mbledhur bashkë, ka pasur disa sulme të egra për të njollosur klubin tonë, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me realitetin”, shtoi më tej Laporta.

Laporta e mbylli fjalimin e tij, kur ishte në prag të lotëve, duke thënë: “Mos mendoni se po emocionohem nga dobësia, jam emocional sepse dua shumë të përballem me të gjithë të poshtëritë që po na njollosin klubin. Askush të mos mendojë se është për shkak të dobësisë”.

Barça aktualisht është nëntë pikë larg vendit të dytë në La Liga dhe do të luajë të dielën në Camp Nou ndaj rivalëve kryesorë – Real Madridit.

(Kosova Sot Online )