Sadiku kërkon nga India që të rishqyrtojë vendimin

  • A P /
  • 14 March 2023 - 17:36
Sadiku kërkon nga India që të rishqyrtojë vendimin

Edhe Donjeta Sadiku ka reaguar pasi mbeti përfundimisht jashtë pjesëmarrjes për në Kampionatin Botëror të Boksit.

Boksieres kosovare iu shua një ëndërr pasi synonte të fitonte medalje në këtë garë prestigjioze

Boksieria nga Gollaku u pajis me vizë nga India vetëm dje pasdite, por që kjo ishte e pamjaftueshme për faktin se Qeveria indiane vendosi kushte të papranueshme.

Siç njoftoi Federata e Boksit të Kosovës për “Gazetën Express”, indianët i lëshuan vizat dje, por me kushtin që nuk u pranua nga pala kosovare, e cila u konsultua dhe u koordinua me autoritetet kosovare.

Më saktësisht, boksieres më të mirë kosovare iu vu kusht që të paraqitej në Botërorin e Indisë pa simbole shtetërore dhe, nëse eventualisht e fiton ndonjë medalje, të mos e ketë mundësinë ta dëgjojë dhe shijojë himnin shtetëror e as të mos shfaqet flamuri apo simbolet tjera.

Pra, këto kushte ishin të papranueshme pasi Donjeta synonte të garonte pa kushte, njëjtë si shtetet tjera të botës në Botërorin që do të fillojë të mërkurën.

Përmes një video, Donjeta Sadiku ka shfaqur zhgënjimin e saj nga kjo padrejtësi e bërë nga shteti i Indisë.

Ajo ka kërkuar nga Qeveria indiane që të rishqyrtojë vendimin dhe të e lejojë të garojë me të drejtat që i takojnë, si çdo sportisti tjetër.


(Kosova Sot Online)