Muriqi reagon për rastin e Donjeta Sadikut

  • A.P /
  • 14 March 2023 - 19:34
Muriqi reagon për rastin e Donjeta Sadikut

Ylli i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka reaguar pas vendimit që nuk i lejojë Donjeta Sadikut të garojë në Kampionatin Botëror në Indi.

Boksieres kosovare iu shua një ëndërr pasi synonte të fitonte medalje në këtë garë prestigjioze

Qeveria e Indisë mori vendim që ajo mund të garojë, por me disa kushte.

Boksieres më të mirë kosovare iu vu kusht që të paraqitej në Botëror pa simbole shtetërore dhe, nëse eventualisht e fiton ndonjë medalje, të mos e ketë mundësinë ta dëgjojë dhe shijojë himnin shtetëror e as të mos shfaqet flamuri apo simbolet tjera.

Këto kushte ishin të papranueshme pasi Donjeta synonte të garonte pa kushte, njëjtë si shtetet tjera të botës në Botërorin që do të fillojë të mërkurën. Reagimet ishin të shumta, por situata mbeti e pandryshuar.

Vedat Muriqi ka shpërndarë një video të Donjeta Sadikut, ku ajo shprehi zhgënjimin e saj nga kjo padrejtësi e bërë nga shteti i Indisë.

Donjeta gjithashtu kërkoi nga Qeveria indiane që të rishqyrtojë vendimin dhe të e lejojë të garojë me të drejtat që i takojnë, si çdo sportisti tjetër.

Sulmuesi i Mallorcas rreth kësaj video shkroi: “Duke qenë se flamuri dhe himni i Kosovës nuk u pranuan për arsye politike në Indi, Donjeta Sadiku nuk do të marrë pjesë në turneun e boksit. Nuk duhet harruar fuqia unifikuese e sportit dhe këto sanksione nuk duhet të zbatohen ndaj sportistëve. #RroftRepublikaEKosoves”. 


(Kosova Sot Online)