Shqipëria mposhtet minimalisht nga Polonia

  • A.P /
  • 27 March 2023 - 22:45
Shqipëria mposhtet minimalisht nga Polonia

Kombëtarja e Shqipërisë e ka nisur me humbje ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Të përzgjedhurit e Sylvinhos, i cili debutoi si trajner i “Kuqezinjve”, pësuan humbje në udhëtim kundër Polonisë/

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “PGE Narodowy” përfundoi me rezultatin 1:0.

Golin e vetëm dhe të fitores së parë për polakët e shënoi Karol Swiderski, në minutën e 41-të.

Kombëtarja shqiptare regjistroi disa raste të mira shënimi në pjesën e dytë, por nuk ia doli të gjente golin.

Myrto Uzuni dhe Kristian Asllani provuan pas fillimit të pjesës së dytë, por ishte portieri kundërshtar, Wojciech Szczesny, që ndali me mjaft vështirësi goditjet e tyre.

Uzuni lëshoi një tjetër rast të mirë në minutën e 88-të nga afërsia, me goditjen e tij që shkoi pranë portës.

Për Shqipërinë ishte kjo ndeshja e parë në Grupin E, teksa pikët e para do t’i kërkojë në qershor, kur zhvillon dy ndeshjet e radhës kualifikuese për “Euro 2024”. Kombëtarja shqiptare me 17 qershor e pret Moldavinë, kurse më 20 qershor luan në udhëtim te Ishujt Faroe.

Në anën tjetër, Polonia me këtë fitore arkëtoi edhe tre pikët e para, pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj Çekisë. 


(Kosova Sot Online)