Kosova është gati për fitoren e parë në rrugën drejt Evropianit

  • S.A /
  • 28 March 2023 - 12:32
Kosova është gati për fitoren e parë në rrugën drejt Evropianit

Kombëtarja e Kosovës është e gatshme për ndeshjen e dytë të fazës eliminatore për në Euro 2024.

“Dardanët” vijnë të motivuar pas barazimit në udhëtim ndaj Izraelit, ndërsa sonte e presin Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, transmeton "Kosova Sot Online ".
Trupa e selektorit Alain Giresse e ka mbajtur dje një seancë të lehtë stërvitore para duelit të sontëm, i cili do të fillojë në orën 20:45. Verdhekaltrit janë optimistë se do të dalin fitimtarë ndaj Andorrës, ndërsa do të mundohen të dhurojnë spektakël përballë tifozëve të tyre të zjarrtë “Dardanët”.

Trajneri Giresse ka thënë se ekipi i tij vjen në këtë sfidë i motivuar dhe pa asnjë nënçmim ndaj rivalit, por me synim të qartë. “Vijmë nga një rezultat pozitiv dhe do të bëjmë përpjekje që ta ruajmë këtë ecuri pozitive me fitore ndaj Andorrës. Pikën e fituar në Izrael mund ta vlerësoj pozitive, edhe pse kemi mundur ta fitojmë krejt ndeshjen. Andorra autsajder i grupit? Ne nuk e neglizhojmë aspak dhe as nuk e konsiderojmë të dobët. Në këtë garë duhet të tregojmë seriozitet maksimal në çdo ndeshje”, ka theksuar Giresse në konferencë për shtyp. Ndërkaq, sulmuesi dardan, Vedat Muriqi ka thënë se kundër Andorrës, ai me shokë do të hyjnë me të vetmin qëllim – fitoren. “Pa e nënçmuar aspak kundërshtarin, në këtë ndeshje nuk mund ta mendoj dot një rezultat tjetër përveç fitores. Nëse duam të kualifikohemi në Evropian atëherë duhet ta fitojmë patjetër këtë ndeshje”, ka theksuar Muriqi. Kosova aktualisht është e treta në Grupin I me një pikë, por me një fitore eventuale sonte mund të ngritet në tabelë. 

(Kosova Sot Online )