Galatasaray e Norwichi janë larg njëri-tjetrit, ofertën dhe kërkesën për Rashicën i ndajnë 6 milionë euro

  • S.A /
  • 04 April 2023 - 10:30
Galatasaray e Norwichi janë larg njëri-tjetrit, ofertën dhe kërkesën për Rashicën i ndajnë 6 milionë euro

Galatasaray ka mbetur i impresionuar me kualitetet e Milot Rashicës, të cilin e mori hua nga Norwichi gjatë verës së kaluar. Futbollisti kosovar ka kontribuuar me gola dhe me asistime për ekipin nga Stambolli, i cili prin aktualisht në Superligën turke, transmeton "Kosova Sot Online".

Ylli kosovar ka kontratë me Norwich Cityn deri më 30 qershor të vitit 2025, por u largua prej aty kur ky klub ra në Championshipin (niveli i dytë) anglez.

Kjo bëri që ai të përfundonte në Turqi dhe aty shpërtheu menjëherë.

Galatasaray i ka bërë gati 5 milionë euro për ta bërë të vetin futbollistin ofanziv, njofton mediumi turk, “Sabah”, përcjell “Kosova Sot Online".

Megjithatë, i njëjti medium raporton se kjo ofertë është larg pritshmërive të Norwichit, i cili i kërkon 11 milionë euro për kartonin e vushtrriasit.

Kjo nënkupton që palët për momentin janë 6 milionë euro larg njëra-tjetrës. Klubi anglez e kishte blerë 26 vjeçarin nga Werder Bremeni në fillim të sezonit 2021/22 pikërisht për 11 milionë euro. Rashica mund të rikthehet në Angli vetëm nëse Norwichi rikthehet në Premierligë. Krejt kjo nëse palët nuk arrijnë marrëveshje pasi dëshirë e tij dhe prioritet i sulmuesit anësor është qëndrimi në Turqi, ku është ambientuar mjaft mirë.

Galatasaray do t’ia bëjë Norwichit ofertën prej 5 milionë eurosh, të cilat do të paguhen me rata për tri vjet.

Por, klubi turk është i gatshëm ta përmirësojë këtë ofertë, duke i përfshirë edhe bonuset, pasi lojtari dëshiron të qëndrojë në Stamboll. Mbetet të shihet se sa do të lëshojë pe Norwichi, i cili, nëse rikthehet në Premierligë, natyrisht se do të llogariste edhe në shërbimet e Rashicës. 

(Kosova Sot Online )