Kupa e Kosovës rikthehet sot me ndeshjet gjysmëfinale, të gjithë me sytë kah Podujeva

  • S.A /
  • 05 April 2023 - 09:37
Kupa e Kosovës rikthehet sot me ndeshjet gjysmëfinale, të gjithë me  sytë kah Podujeva

Kupa e Kosovës në futboll do të rikthehet sot me ndeshjet e para gjysmëfinale.Vëmendja e të gjithëve do të jetë në Podujevë, ku Llapi do ta presë Gjilanin, në përballjen kryesore të kësaj faze, transmeton "Kosova Sot Online".

Llapjanët do të mundohen ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit për ta krijuar një epërsi solide para ndeshjes së kthimit, që do të luhet në Gjilan.

Ekipi nga “Zahir Pajaziti” e synon Kupën për herë të tretë radhazi dhe përmes saj mund të luajë prapë në garat evropiane. Kurse, gjilanasit po ashtu do të tentojnë të nxjerrin rezultat të favorshëm në Podujevë para se të luajnë në shtëpi në lojën e kthimit. Në duelin tjetër, Vushtrria e pret ekipin e rikthyer në formë, Prishtina.

Kryeqytetasit shihen favoritë për të fituar sot dhe për të shkuar në finale, duke e pasur parasysh se vushtrriasit garojnë në një nivel më të ulët garash dhe nuk e kanë fuqinë e prishtinasve. Sidoqoftë, vushtrriasit do të mundohen t’i kënaqin shikuesit e tyre, të paktën në lojën e parë, që do ta luajnë në shtëpi. Dy ndeshjet e sotme të Kupës së Kosovës do të nisin në orën 15:00. Faza gjysmëfinale e Kupës shkon me sistemin vajtje/ardhje.

(Kosova Sot Online )