Tri oferta serioze për Ermal Krasniqin, klubet e njohura e duan sulmuesin kosovar

  • S.A /
  • 08 April 2023 - 09:26
Tri oferta serioze për Ermal Krasniqin, klubet e njohura e duan sulmuesin kosovar

Ermal Krasniqi po vazhdon shkëlqimin në Rumani, teksa për të po vazhdon të rritet edhe interesimi nga klubet e njohura evropiane, transmeton "Kosova  Sot Online ".

Sulmuesi kosovar së fundmi shënoi gol në fitoren 1:0 të Clujit ndaj Arges, duke dërguar kështu skuadrën e tij në gjysmëfinale të Kupës.

Për Krasniqin ishte ky goli i tij i parë në paraqitjen e parë në këtë garë, teksa ai numëron edhe nëntë gola e katër asistime në elitën e futbollit rumun këtë sezon.

Njëri prej donatorëve të klubit, Ioan “Nelutu” Varga, i cili nga mediat rumune dhe jo vetëm, besohet se është pronari i vërtetë i klubit të Clujit, konfirmoi se për Krasniqin ka tashmë tri oferta.

“Për Krasniqin janë 3 oferta. Ka oferta të qarta, por jo vetëm për të. Janë 7 lojtarë që kanë oferta dhe do të shohim në verë se çfarë do të vendosim”, tha ai për “ProSport”.

Sipas mediumit rumun, Torino, Fiorentina dhe Mallorca janë klubet që u interesuan më shumë për Krasniqin, përveç Lazios.

Cluj thuhet se do të donte 5 milionë euro për shitjen e 24-vjeçarit dhe duket se Lazio është klubi që është gati të ofrojë një shumë afër dëshirës së klubit.

Tutje, mediumi rumun shkroi se në ndeshjen ndaj Universitatea Cluj ka qenë i pranishëm edhe Giovanni Becali, kur edhe ka biseduar me Vargan. Ai ka një marrëdhënie të ngushtë me Igli Taren, drejtorin sportiv të Lazios, dhe ky mund të jetë çelësi i marrëveshjes.

Ermal Krasniqi në atë ndeshje kishte shënuar gol, teksa skuadra e tij triumfoi me rezultatin 4:0.

Në anën tjetër, shtypi italian vazhdon të shkruajë për interesimin e Lazios për ish-sulmuesin e Ballkanit.

Klubi nga kryeqyteti italian thuhet se ka në listë edhe Domenico Berardin e Sassuolos dhe Jesper Karlsson e AZ Alkmaar.

Dallimi mes Krasniqit dhe dy lojtarëve të tjerë ka të bëjë me tarifën e transferimit. Berardi ose Karlsson do të mund të blihen vetëm për një çmim 4-5 herë më të lartë se sa ai që Cluji e dëshiron për Krasniqin.

Përcaktuese mund të jetë edhe performanca që Lazio do të arrijë këtë sezon. Kualifikimi për një vend në Ligën e Kampionëve padyshim se do të rrisë buxhetin e transferimeve.

Ndryshe, Ermal Krasniqi me klubin e Clujit ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.

(Kosova Sot Online )