Mourinho vjen me një kundërpërgjigje epike për Cassanon

  • A.P /
  • 09 April 2023 - 12:54
Mourinho vjen me një kundërpërgjigje epike për Cassanon

Jose Mourinho i është kundërpërgjigjur deklaratave të Antonio Cassanos, i cili po vazhdon kritikat ndaj portugezit.

Ish-sulmuesi italian së fundmi këshilloi Real Madridin që të mos e rikthejnë Mourinhon si trajner, pasi që sipas tij, trajnerit të Romës nuk i intereson futbolli.

“Ai mund të kthehet në Real Madrid, nëse Ancelotti largohet, por nëse duan një trajner, nuk duhet të thërrasin Mourinhon për projektin e tyre të ri. Mourinhos nuk i intereson futbolli. Nuk i pëlqen të punojë, nuk di të komunikojë, le të mos gënjehemi nga historia e tij. Interi është ekipi im dhe ata fituan Ligën e Kampionëve 11 vjet më parë me të, por jo duke luajtur futboll”, tha mes tjerash Cassano.

Pas fitores së djeshme 1-0 si mysafir ndaj Torinos që vendosi romakët në vendin e tretë në tabelën e Serie A, Mourinho ka dhënë një përgjigje për deklaratat e Cassanos.

“Të gjithë janë të lirë të kenë preferencat e tyre dhe të bëjnë kritikat e tyre, por kur flasim për të tjerët, siç bën Antonio, është ndryshe. Disa prej nesh punojnë në futboll, ai thjesht dëshiron të kënaqet. Cassano ka luajtur për Romën, Interin dhe Real Madridin. Në Madrid ai mbahet mend vetëm për xhaketën e tij. Me Romën ai fitoi një Superkupë pa luajtur. Në Inter ai nuk e fitoi as Kupën e Lombardisë në një miqësore”, tha “Special One”.

“Ju e dini se çfarë kam fituar me Interin, Real Madridin dhe Romën. Ai mund të ketë një problem me mua, unë nuk kam problem me të. Unë do t’i them Cassanos vetëm një gjë: kujdes Antonio, sepse ti je 40 vjeç dhe unë jam 60, nganjëherë shfaqen tipat e Marko Livaja dhe më pas bëhet e vështirë”, deklaroi portugezi.

Sipas mediave italiane, “xhaketa” i referohej veshjes që kishte Cassano në prezantimin e tij zyrtar te Real Madridit.

Sa i përket përmendjes së Livajës, ka pasur zëra për një përplasje gjatë një seance stërvitore kur ishin bashkë te Interi. 

(Kosova Sot Online)